Ishte sekretari i kësaj partie, Andrija Ignjatovic që kritikoi Listën Serbe për keqqeverisjen dhe keqmenaxhim.

“Bartësi i listës për këshilltarë z.Dragan Jabllanoviq, simpatizantëve dhe kandidatëve të tubuar ju uroi suksese në fushatë dhe vuri në dukje shumë lëshime që u kanë shkaktuar dëm qytetarëve të komunës që nga viti 2017 e deri më sot nga individë të listës serbe. Kryesisht për shkak të joprofesionalizmit dhe arrogancës së tyre. Sekretari i PKS-së z. Andrija Ignjatovic theksoi lëshimet dhe pasojat e mëdha të politikës së përhapur të Listës Serbe që çoi në largimin e të rinjve dhe rrezikimin e ekzistencës ekonomike të qytetarëve të cilët u detyruan të japin dorëheqje”, thuhet në postimin e PSK.

Ndërsa kryetari i PKS-së, Aleksandar Jabllanoviq, falënderoi qytetarët për guximin që kanë dhënë publikisht përkrahjen e tubimit të partisë së tij.

“Partia jonë nuk është këtu për të rrezikuar qytetarët dhe të ardhmen e komunës sonë dhe as për ta larguar Serbinë nga Kosova. Ne serbët nuk do të numërojmë kokrrat e gjakut dhe nuk do të masim se kush është serb, do t’ia lëmë kohës të gjykojë të rinjtë që do të vijnë pas të gjithëve dhe neve na takon të ruajmë popullin dhe komunën që pasardhësit tanë kanë një vend për të jetuar.
Veçanërisht duhet të theksoj dhe të falënderoj Qeverinë e Serbisë dhe presidentin Aleksandër Vuçiq që treguan mençuri dhe burrë shteti dhe nuk na sulmuan, edhe pse disa nga lista serbe e prisnin pikërisht këtë. E kuptuam mesazhin e Beogradit dhe jemi të vetëdijshëm se këto zgjedhje nuk janë vetëm lokale”, tha ai.

“Qëllimi është që të gjithë ne si në Leposaviq ashtu edhe në mbarë Kosovën, qofshin shqiptarë, boshnjakë, romë apo serbë, të jetojmë një jetë të denjë për një njeri pa konflikt, krim dhe tension”, ka thënë Jabllanoviq.