MD-ja tentoi t’ia marrë lëndët me Polici, Mulhaxha reagon ashpër: Ndërhyrje brutale në sistemin e drejtësisë

Njësitë policore kanë zbarkuar dje në zyrën e përmbaruesit privat [tashmë të shkarkuar], Ilir Mulhaxha, pasi Komisioni Ad-Hoc i formuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka tentuar që të zbatojë vendimin për marrjen e lëndëve dhe të njëjtat më pas t’i bartin te përmbaruesit tjerë në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo ka bërë që Mulhaxha të reagojë ashpër, duke e konsideruar si ndërhyrje brutale në sistemin e drejtësisë.

Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Mulhaxha ka thënë se Komisioni nuk i dinte detyrat për të cilat kishin shkuar në zyrën e tij.

“Në emër të drejtësisë, përfaqësuesit më të lartë institucionalë kryen ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, duke dërguar forca speciale të policisë dhe hetues në zyrën time, për të shoqëruar Komisionin ad hoc të Ministrisë së Drejtësisë për transferimin  e lëndëve në të cilat kam punuar me vite, sikur të kenë të bëjnë me kriminel, e jo me një qytetar të ndershëm që asnjëherë deri tani nuk ka rënë ndesh me ligjin, përkundrazi njihet si një ndër përmbaruesit më të suksesshëm, ushtrues të një profesioni të lirë që në fakt Ministria duhej mbështetur. Komisioni, e që është për keqardhje, nuk i dinte detyrat për të cilat ka ardhur. Nuk ishin të familjarizuar me procedurat. Si duket mendonin se kanë mundësi t’i marrin lëndët në një thes dhe të largohen?!”, shkroi ai.

Mulhaxha ka parashtruar disa pyetje në drejtim të ministres Haxhiu, të cilën e ka pyetur nëse po ndodh një kapje e re e sistemit të drejtësisë, në emër të çkapjes së vjetër.

“Me këtë rast, si i dëmtuar, po i parashtroj disa pyetje ministres:

– Në emër të çkapjes së vjetër,mos po ndodhë kapje e re e sistemit të drejtësisë?

– Sipas jush, a duhet përmbaruesi të merret me interpretimin e vendimeve gjyqësore, apo duhet vetëm t’i zbatojë?

– A ka mundësi përmbaruesi ta kundërshtojë zbatimin e vendimeve res judikata, dhe a jeni në dijeni se bëhet fjalë për vendim të tillë që e kam zbatuar ?

– A duhet vetë ministria t’i zbatojë ligjet ne fuqi, kur pas shkarkimit të përmbaruesit është e detyruar për ta emëruar një përmbarues zëvendësues?

– Pse nuk e keni bërë, duke shkelur kështu ligjin që ishte në fuqi?

– A duhet ministria të bëjë seleksionim e lëndëve dhe palëve që i drejtohen përmbaruesit, dhe nëse ndodh e kundërta, ta ndëshkojë deri në privim nga profesioni edhe pse e dëshmon se nuk ka bërë asnjë shkelje ?

– A janë qytetarët e barabartë dhe të lirë t’i drejtohen përmbaruesit në të drejtën e tyre, pas shterrjes së procedurave të tjera ligjore, ashtu siç i drejtohen edhe avokatit?

– A jeni në dijeni që edhe nëse do, një përmbarues nuk guxon të tërhiqet nga procesi përmbarimor, sepse do të paditej nga pala që e ka angazhuar.

– A jeni në dijeni se emërimi i Komisionit Ad Hoc është në kundërshtim me Ligjin e procedurës përmbarimore, dhe në mungesë të kornizës ligjore e keni ndryshuar Ligjin e procedurës përmbarimore për ta inkorporuar tani Komisionin për transferinin e lëndëve nga Përmbaruesi te Përmbaruesit tjerë.

– Si ka mundësi që për lëndën për të cilën jam shkarkuar nuk ka dhënë përgjegjësi askush tjetër, përfshi gjyqtarët që kanë marrë vendim, apo dikush në BQK që ka dhënë vendim për urdhër-pagesë?

– Si është e mundur që ndëshkohem unë, menjëherë pas fitimit të një rasti ndaj Ministrisë, për një lëndë të një kompanie të huaj që fillon 12 vite më herët?

– A është kjo hakmarrje direkt për “padëgjueshmëri” edhe pse asnjëherë nuk do i nënshtrohemi askujt përveç ligjit dhe deri në frymën e fundit do të luftoj të veproj ashtu?

– Edhe pse e di që kemi ende një gjyqësor të ndikuar, jam i bindur që brenda ka ende shumë njerëz të ndershëm që nuk lejojnë ndikime të asnjë lloji, por si unë i qëndrojnë besnik vetëm mbrojtjes së ligjshmërisë.

– Unë si përmbarues, pra, jam hallka e fundit në zinxhirin e drejtësisë, nuk jam as nënshkrues i kontratave, as gjyqtar për të vlerësuar ligjshmërinë, por zbatues i vendimeve gjyqësore”, ka shkruar më tej Mulhaxha.

Ndryshe, më 10 janar të këtij viti, Albulena Haxhiu kishte njoftuar se ka marrë vendim për suspendimin e përmbaruesit Mulhaxha, pas kërkesës nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për inicim të procedurës disiplinore ndaj tij, mbi bazën e shkeljeve të pretenduara.

E, vendimi për shkarkimin e Mulhaxhës ishte marrë në fund të muajit shkur, ku sipas zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili kishte bërë të ditur lajmin, Komisioni Disiplinor për Përmbarues Privat, kishte gjetur shkelje disiplinore.

“Sapo kam nënshkruar vendimin për pushim nga detyra të përmbaruesit privat z. Ilir Mulhaxha. Komisioni Disiplinor për Përmbarues Privat ka gjetur shkelje disiplinore pasi që i njëjti gjatë kryerjes së veprimeve përmbarimore në kuadër të aktivitetit të tij, nuk iu ka përmbajtur ligjit, në lëndën e përmbarimit, dhe si rrjedhojë është shqiptuar masa disiplinore, shkarkim nga detyra”, pati shkruar Sallahu në Facebook./GazetaSinjali

my-portfolio

CATEGORIES
Share This