Deklarimet e Stoltenbergut, Presidenca dhe opozita me mendime të ndryshme

Deklarimet e Stoltenbergut, Presidenca dhe opozita me mendime të ndryshme

Opozita ka reaguar një ditë pasi Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në takim me presidenten Osmani në selinë e Aleancës Veriatlantike, përmendi se përveç FSK-së, për të ndërhyrë në veri të Kosovës, edhe Policia duhet të konsultohet paraprakisht me KFOR-in. Partitë opozitare fajësojnë Qeverinë për këtë situatë, kurse nga Presidenca rikujtojnë se NATO kërkon vetëm koordinim.

NATO, përmes sekretarit të përgjithshëm, Jens Stoltenberg, gjatë takimit të enjten me presidenten e Republikës , Vjosa Osmani –Sadriu, rikujtoi për veprimin FSK-së dhe njësive speciale të Policisë, në veri të Kosovës.

“Në linjë me përkushtimin e Prishtinës nga viti 2013, çfarëdo zbarkimi FSK në veri kërkon pëlqimin e KFOR-it. Presim në kohë konsultime për çfarëdo veprimi të Policisë dhe FSK që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë”, tha Stoltenberg.

Për pjesën e policisë, ndaj deklaratës së shefit të NATO-s, reagoi presidentja Osmani.

“Marrëveshjen e vitit 2013 fokusohet vetëm FSK-ja. Policia e Kosovës ka vepruar dhe ka ushtruar mandatin e vet kushtetues në të gjithë territorin e Kosovës për më shumë se dy dekada”, theksoi Osmani.

Pikërisht këto deklarata të sekretarit Stoltemberg dhe presidentes Osmani, bën që opozita në Kosovë të reagojë.

Anëtari i Komisionit për Siguri nga PDK-ja, Hisen Berisha, thotë se me deklaratën e tij, shefi i NATO-s e shkel rezulton 1244. Sipas tij, produkt i kësaj rezolute është edhe Polica e Kosovës dhe FSK-ja. E në gjithë këtë situatë, ai fajëson Qeverinë.

“Policia e Kosovës me të gjitha kapacitet e veta këto kompetenca të plota i ka bartur nga KFOR-i nga NATO-ja dhe UNMIKU më duket përfundimisht në 2011,me krijimin e Njësive për Operacione Speciale dhe FITIT dhe njësive tjera për zbatimin e rendit dhe ligjit në vend, prandaj është shkeleje edhe Kushtetuese është shkelje edhe vet rezolutës 1244, cenim i saj nëse kjo e drejt e veprimit të policisë në veri limitohet”, tha Hisen Berisha, deputet nga PDK.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, këtë deklarim të Sotltenbergut ia ka atribuuar Qeverisë së Kosovës. Sipas tij, kjo ka ndodhur në mungesë të koordinimit me faktorin ndërkombëtar.

“Kryeministri dhe Qeveria e ka pru gjendjen e tillë sa që tash nuk guxon njesisn speciale pa marrë leje nga KFORi, është diçka që nuk është pritur dhe është një lajm i keq për Kosovën dhe mendoj që në këtë drejtim janë hapa të gabuara të pakoordinuar të kryeministrit Kurti që tanimë edhe njësinë speciale nuk ka të drejt me dergu në veri”, theksoi ai.

Ndërkohë, Blerim Vela, shefi stafit të presidentes Osmani, deklaroi për RTK-në se nuk kërkohet miratim paraprak nga KFOR-i për zbarkim të Policisë në veri.

“Sa i përket Policisë së Kosovës, presidentja edhe pas konferencës për shtyp e ka diskutuar edhe me sekretarin e pëgjithshëm të NATO-së dhe është qartësuar kjo situatë se në fakt nuk kërkohet miratim paraprak i KFOR-it apo i NATO-së për zbarkimin e Policisë në veri, porse është një kërkesë e KFOR-it për koordinim në kuadër të kompetencave që ka të bëjë me reaguesit e parë dytë dhe tretë që të parandalojnë ndonjë eskalim të situatës në veri”, tha ai.

Sidoqoftë, Policia e Kosovës është dhe vazhdon të jetë reaguesi i parë i sigurisë në veri, pjesëtarët e Misionit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX janë reaguesit e dytë, dhe KFOR mbetet reaguesi i tretë.

CATEGORIES
Share This