Zyrtarja e BE-së Schneeberger thotë haptas se Borrell e Lajçak ia kanë mbajtur anën Serbisë
Zyrtarja e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, në një intervistë për RTK-në, ka thënë se BE e ka nënvlerësuar politikën e Vuqiqit prej një autokrati.
Duke komentuar sulmin terrorist në Banjskë, ajo thotë se Vuqiqi luan me frikën njëjtë siç bën Putini.
Ajo ka thënë se autokrati Vuçiq deri sot është shpërblyer për veprimet e tij dhe ky është faji i ndërmjetësuesve. Sipas saj tani është koha që BE të reagojë.
“Ky ka qenë sulm mbi sovranitetin e shtetit. Veriu është pjesë e Kosovës. Ky sulm ka pasur për qëllim të krijojë frikë, Vuçiqi luan me frikën ashtu siç bënë edhe Putini. Nuk i dimë të gjithë detajet, por kjo ishte një lojë me zjarr dhe rrezik për eskalim. Besoj që Vuçiqi ka qenë i vetëdijshëm se mund të fillojë një luftë, edhe duke e ditur që ky ishte një provokim i keq nga ana e tij”, ka theksuar zyrtarja e BE-së.
Dialogu sipas saj nuk duhet të vazhdojë me Borell e Lajçak, të cilët sipas Schneeberger i kanë mbajtur anën Serbisë. Ajo po ashtu thotë se Kosova nuk duhet të pranojë një asociacion një etnik, sepse kështu Beogradi do t’i kontrollojë gjithmonë serbët në veri.
Ajo ka thënë se është e papranueshme cenimi i sovranitetit të një vendi të pavarur.
“Angazhimi i Borellit dhe Lajçakut nuk ka treguar rezultat, sepse autokratet kanë nevojë për fjalë të qarta, sepse gjuha e Borrell e Lajçak i ka stimuluar këta autokrat për veprime të tilla. Ata nuk janë objektiv në dialog, dhe si ndërmjetësues ata nuk guxojnë të jenë të njëanshëm, ata i kanë interesat e Serbisë në rend të parë, duke e dërguar dialogun në një qorrsokak”, ka thënë Schneeberger.