15 ushtarë izraelitë vriten gjatë luftimeve me Hamas në Gaza

15 ushtarë izraelitë vriten gjatë luftimeve me Hamas në Gaza

Pesëmbëdhjetë ushtarë izraelitë kanë mbetur të vrarë mes luftimeve të ashpra në Gaza, gjatë operacioneve për goditjen e bazave të militantëve të Hamasit.

Humbja më e rëndë e jetës ndodhi kur një transportues i blinduar i personelit “Namer” u godit rreth mesditës të së martës nga një raketë anti-tank, duke vrarë 11 ushtarë dhe duke plagosur disa të tjerë.

Në një incident tjetër, një numër ushtarësh u vranë kur automjeti i tyre shkeli një minë. Në një tjetër incident të raportuar, dy ushtarë vdiqën kur një granatë-hedhës goditi ndërtesën në të cilën ndodheshin.

Ndërsa emrat e ushtarëve të vdekur u shpallën të mërkurën, pasi familjet ishin informuar, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua të vazhdojë me ofensivën tokësore në Gaza.

“Jemi në një luftë të vështirë. Do të jetë gjithashtu një luftë e gjatë. Kemi arritje të rëndësishme, por edhe humbje të dhimbshme”, tha Netanyahu në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij të mërkurën në mbrëmje.

Vdekjet e fundit e çojnë në 320 numrin e ushtarëve Izraelitë që janë vrarë që kur Hamasi nisi sulmin e tij të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor.

Humbjet në rritje për të martën u shfaqën pjesë-pjesë pasi u zbulua se disa ushtarë të tjerë që ishin plagosur rëndë kishin vdekur nga plagët.

Pamjet e sulmeve të befasishme të Hamas ndaj ushtarëve izraelitë që kanë hyrë në Gaza janë publikuar në rrjetet sociale. Në video dallohen militantët e Hamas teksa dalin nga tunelet e nëndheshme dhe qëllojnë me raketa anti-tank automjetet e forcave izraelite.

Në një video tjetër, një grup prej mbi 10 ushtarësh izraelitë dallohen teksa qëllohen nga një granatë që lëshohet me një dron fluturues, një taktikë e ngjashme me atë të poërdorur gjerësisht në luftën e Ukrainës.

CATEGORIES
Share This