Abdixhiku paralajmëron takim me presidenten Osmani: S’rrimë duarkryq, vendi s’mund të jetë peng i një ideologjie

Abdixhiku paralajmëron takim me presidenten Osmani: S’rrimë duarkryq, vendi s’mund të jetë peng i një ideologjie

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka folur pas takimit që kishte me gazetarë e opinionistë në Kosovë, në kuadër të iniciativës së tij për dalje nga kriza.

Abdixhiku para mediave paralajmëroi se do të ketë takim edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

“Sot ishte një pasurim i mirë edhe i propozimeve edhe nga pjesëmarrësit në këtë diskutim, besoj se do të jetë i njëjtë edhe me grupet e tjera të interesit, dhe në fund edhe do ta bëjmë publik sepse do të bëhet në kauzë të gjithmbarshme të LDK-së. Kjo është faza e parë e diskutimeve, unë do të vazhdoj takimet edhe me akterët tjerë, përfshirë edhe presidenten e cila duhet të ketë një qëndrim në një të ardhme të afërt”,u shpreh Abdixhiku.

Ai tha se LDK nuk do që qëndrojë duarkryq karshi zhvillimeve të fundit.

“Kosova nuk mund të jetë peng e një ideologjie, por ka njerëz që i dalin zot”, u shpreh ndër të tjera ai.

Abdixhiku para disa ditësh kishte njoftuar për iniciativën e tij për angazhim mbi partiak për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese, siç e quan ai kundër politikave përplasëse të Qeverisë së Kosovës me aleatët historik të saj.

Sipas tij, këtë iniciativë ai e ka marrë që në javën e kaluar me qëllim të nisjes së artikulimit të një mendimi të përbashkët shoqëror për një rrugë të re për Republikën e Kosovës.

I pari i LDK-së tha se kjo parti nuk do të qëndrojë duarkryq karshi zhvillimeve në vend.

Gjatë ditës së shtunë Abdixhiku, kishte thënë se Kosova ka nevojë për “një rruge të re, pa Albin Kurtin”.

Për këtë rrugë, ai ka thënë se kanë marrë mbështetje të madhe nga akterët e ftuar.

“Jam i lumtur me reagimin e parë publik ndaj vet iniciativës. Jam i lumtur me mbështetjen e gjerë të dhënë nga vet akterët për këtë qëllim. Jam i bindur se shoqëria kosovare ka masën kritike të domosdoshme brenda saj, për të bërë gjënë e duhur në momentin e duhur. Dhe ky është momenti i duhur”, kishte thënë thënë Abdixhiku.

CATEGORIES
Share This