Aktakuza: Qysh u takua Edi Rama me zyrtarin e FBI që skandalizoi Amerikën?

Ndërkohë që ish-shefi për kundërzbulim në zyrën e FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal, është akuzuar për bashkëpunim me një oligark të snaksionur rus dhe fshehje të qindra mijëra dollarëve që dyshohet se i kishte marrë nga një ish-punëtor i një agjencie shqiptare të inteligjencës, i njohur në aktpadi si Personi A, si i përfshirë në disa takime me të është përmendur edhe emeri i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Në aktakuzë jepen detaje për takimin e McGonigal me Ramën, me prokurorët që kanë pretenduar se gjatë disa udhëtimeve të tij jashtë vendit në Shqipëri, Austri e Gjermani, McGonigal ka dështuar që të tregojë përmes dokumenteve zyrtare amerikane se është takuar Ramën, një politikan kosovar dhe me disa figura të tjera.

Ndërsa nga aktakuza, duket se McGonigal është takuar me Edi Ramën më 7 shtator 2017, bëhet e ditur se një ditë pas këtij takimi, ai kishte udhëtuar nga Shqipëria për në Kosovë bashkë me Personin A, ku ishte takuar më një politikan kosovar, dhe më pas bashkë me Personin A nga Shqipëria ishin rikthyer në ShBA.

Në detaje të tjera, mësohet se pas udhëtimit të McGonigal në Shqipëri, ai kishte mbajtur një lidhje të vazhdueshme me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ndërsa më 5 tetor 2017, McGonigal kishte pranuar një shumë prej 80,000 dollarësh kesh në një makinë të parkuar në Nju Jork. Të dhëna të tjera kanë treguar se më pas, ai është takuar sërish me Personin A në rezidencën e këtij personi, ku kishte marrë edhe më shumë para kesh, 80,000 dollarë dhe 65,000 të tjera, për të cilat McGonigal, ia kishte bërë të ditur personit A, që nuk do t’i kthehen.

Ndërsa thuhet se ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare, i cili ia kishte dhënë këtij ish-zyrtari në total 225 mijë dollarë, prokurorët pretendojnë se McGonigal i kishte bërë thirrje kryeministrit shqiptar që të ishte “i kujdesshëm për dhënien e lejeve për nxjerrje të karburanteve në fusha të naftës në Shqipëri për kompani fiktive ruse”.

Dy burime i thanë mediumit “Insider” se McGonigal-i ishte i afërt me Edi Ramën, i cili shërben si kryeministër i Shqipërisë që nga viti 2013. Sipas një shkrese elektronike të shikuar nga mediumi “Insider”, McGonigal-i e kishte përdorur adresën e tij zyrtare elektronike të FBI-së në përpjekje për të organizuar një takim mes Edi Ramës dhe një kompanie amerikane, të cilën Rama mendonte që ta angazhonte për një nismë kundër korrupsionit. Në fund, FBI-ja nuk ia kishte dhënë McGonigal-it miratimin për atë takim dhe takimi nuk ishte zhvilluar kurrë.

Sa u përket këtyre akuzave, ka reaguar edhe kryeministri shqiptar, duke thënë se ka nisur t’i bëhet gjyqi në “Big Brotherin” e politikës në Shqipëri.

“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!”, – ka shkruar Rama.

Ndërkohë, sipas një fletëthirrjeje për dëshmitarë, të publikuar në shtator nga mediumi amerikan, “Insider”, prokurorët ishin duke zhvilluar hetime për të marrë veshë nëse McGonigal-i kishte lidhje me Qeverinë e Bosnjës si dhe ndonjë “pagesë ose dhuratë” që mund t’i ishin dhënë nga qeveritë e Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

CATEGORIES
Share This