Ekspertët thonë se dronët “Bayraktar” janë të rëndësishëm për Kosovën, pavarësisht vështirësive për t’i përdorur

Ekspertët thonë se dronët “Bayraktar” janë të rëndësishëm për Kosovën, pavarësisht vështirësive për t’i përdorur

Pavarësisht që Kosova u furnizua me dronët Bayraktar, deklarata e KFOR-it i doli në rrugë entuziazmit të madh të Qeverisë për blerjen e tyre. Pavarësisht që misioni i NATO-s nuk lejon që ata të fluturojnë në qiellin e Kosovës, njohësit e sigurisë po vlerësojnë se Kosova nuk gaboi në blerjen e tyre.

Tashmë arma më e rëndë që e posedon Kosova janë dronët Bayraktar TB-2.

Por ky shkatërrues i mjeteve më të mëdha ushtarake me fuqi dhe shpejtësi të lartë nuk lejohet të veproj në Kosovë.

Kjo pasi, sipas KFOR-it hapësira ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për fluturime komerciale, e jo edhe për ato ushtarake.

Pavarësisht kësaj, sipas njohësit të rrethanave të sigurisë, Nuredin Ibishi, Kosova nuk bëri gabim që i bleu dronët.

“Asgjë nuk pengon që ato pajisje ne t’i kemi dhe shumë mirë është bërë që i kemi porositur pasi që ne çdoherë pretendojmë të pajisemi me armatime dhe pajisje të reja ushtarake sikur që janë këto”, ka deklaruar Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.

Ndërsa, sipas anëtarit të Komisionit Parlamentar për Siguri, Hisen Berisha, Kosova nuk e ka shkelur rezolutën 1244 me blerjen e dronëve.

“Edhe komandanti i KFOR-it dhe të gjithë ata që shqetësohen duhet ta dinë që nuk jemi ndesh me rezolutën 1244, nuk jemi ndesh sepse kjo rezolutë e ka fut Kosovën në një proces politik i cili përmes bisedimeve ka ardhur në përfundim që ky territor mund të vetmenaxhohet në mënyrë autonome”, ka deklaruar Hisen Berisha, nga Komisioni për Siguri.

Atij gjithsesi po i pengon fakti që Qeveria në krye me Albin Kurtin ka marrë meritat për blerjen e tyre.

“Nuk është meritë as e Kryeministrit, as e ministrit, as e imja as e askujt. Është meritë e planifikimit që ka bërë FSK-ja, oficerët dhe stafi profesional, partnerët strategjikë dhe këto blerje janë me plan e afat”, ka deklaruar Berisha.

Qeveria e Kosovës për blerjen e dronëve Bayraktar ka njoftuar ditën e diel dhe nuk kanë dhënë detaje për numrin e tyre apo koston./RTV Dukagjini

CATEGORIES
Share This