Kadyrov e falënderoi për “Cybertruck” me mitraloz, vjen përgjigjja e Elon Musk

Kadyrov e falënderoi për “Cybertruck” me mitraloz, vjen përgjigjja e Elon Musk

Pas shfaqjes së liderit çeçen Ramzan Kadyrov me automjetin Cybertruck të Teslës, të cilës i ishte montuar në pjesën e pasme të kabinës një mitraloz, miliarderi Elon Musk është përgjigjur tepër ashpër.

CEO i Tesla-s nuk i ka marrë në konsideratë vlerësimet pozitive nga ana e Kadyrov, duke shpërthyer kundër komenteve që e akuzojnë se i ka dhuruar automjetin e përshtatur për luftë gjeneralit që punon për Vladimir Putin.

“A je kaq i vonuar sa mendon se i kam dhuruar një ‘Cybertruck’ një gjenerali rus?”, ishte përgjigja e prerë e Musk.

Komenti i Elon Musk vjen si përgjigje ndaj autorit, profesorit, avokatit dhe autorit amerikan Seth Abramson, i cili më herët pyeti se si Elon Musk u siguron automjete të gatshme ushtarake armiqve të sanksionuar të Amerikës.

“Pse nuk është kjo historia më e madhe në Amerikë sot? Pse West Point po përkëdhel një njeri që punon hapur kundër SHBA-ve?”, shkruante Abramson.

Por, Elon Musk në përgjigjen e tij tha se komenti i Abramson “është një shembull tjetër se sa shumë gënjejnë mediat tradicionale”.

Gjithë kjo histori përplasjesh nisi pasi Kadyrov postoi një video në Telegram në të cilën shihet duke drejtuar automjetin Tesla, i cili është i pajisur me mitraloz dhe tha se do të shkonte me të në frontin e luftës në Ukrainë.

“Elon, faleminderit! Eja në Grozny, do të mirëpres si mysafirin tim më të dashur!”, tha Kadyrov, i cili është një aleat i ngushtë i Putinit dhe është subjekt i disa sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së.

CATEGORIES
Share This