KiE për Nacionalen: Aplikimi i Kosovës është duke u shqyrtuar nga Komiteti i Ministrave

Sipas një raportimi të Euronews Serbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe tre shtete anëtare të BE-së kanë kërkuar nga disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës që të mos e vendosin çështjen e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë në agjendë derisa Prishtina të tregojë konstruktivitet për Asociacionin.

Lidhur me raportimin e mediumit, Nacionale ka kontaktuar me zyrtarin e komunikimit mediatik për Ballkanin Perëndimor në Këshillin e Evropës, Dushan Vojnoviq.

Në përgjigjen e zotit Vojnoviq për Nacionalen, nuk mohohet apo pohohet nëse pretendimi i mediumit është i vërtetë apo jo me arsyetimin se puna dhe diskutimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës janë konfidenciale.

Krejt çka konfirmoi zytari për komunikim i KiE-së është se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë është në shqyrtim e sipër nga Komiteti i Ministrave.

“Aplikimi tashmë është duke u shqyrtuar nga Komiteti i Ministrave, në përputhje me rregullat përkatëse. Ne dëshirojmë të tërheqim vëmendjen tuaj për faktin se puna dhe diskutimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës janë konfidenciale.”– thuhet në përgjigjen e Vojnoviq për Gazetën Nacionale.

Gjatë ditës së sotme, Naiconale ka marrë një përgjigje edhe nga Ambasada amerikane në Kosovë në lidhje me raportimet se ky shtet ka këkruar që Kosova të largohet nga agjenda për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, derisa të ndryshojë qasja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në një përgjigje për Nacionalen, zëdhënësja Katherine Judd, nuk ka dhënë shumë detaje rreth “korrespodencës së pretenduar diplomatike”.

Megjithatë, ajo e ka bërë të qartë se pozicioni i ShBA-së për Asociacionin është i mirënjohur, sidomos pas opinionit të përbashkët të këshilltarit Derek Chollet dhe emisari Gabriel Escobar.

“Pozicioni i ShBA-ve është i mirënjohur: siç kanë theksuar dje Këshilltari Derek Chollet dhe Zëvendës-Asistent Sekretari i Shtetit Gabriel Escobar në opinionin e tyre të përbashkët, koha për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është tash. Përtej kësaj, ne nuk mund të komentojmë mbi korrospondencën e pretenduar diplomatike.” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Kujtojmë që sipas burimeve diplomatike të mediumit të lartëpërmendur, Ministritë e Jashtme të disa vendeve evropiane që janë anëtare të Këshillit të Evropës kanë marrë një letër nga ambasadat amerikane në të cilën thuhet se Uashingtoni beson se çështja e pranimit të Kosovës në Këshill nuk duhet të vendoset në agjendën e Komisionit të Ministrave.

“Ministritë e punëve të jashtme të disa shteteve evropiane, që janë anëtare të Këshillit të Evropës, kanë marrë një letër nga ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të cilën thuhet që Washingtoni konsideron se çështja e pranimit të Kosovës në Këshill nuk duhet të vendoset në agjendën e Komitetit të Minisrave,” ka mësuar ky medium nga burime diplomatike në Evropë.

Euronews Serbia thotë që me këtë pozicion të ShBA-ve është pajtuar Italia, Franca dhe Gjermania.

Aplikimi për anëtarësim në KiE

Kosova e kishte bërë aplikimin e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës vitin e kaluar. Madje edhe Serbia kishte thënë që Kosova mund t’i kishte siguruar votat për pranim në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Republika e Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë më 12 maj të vitit 2022. Kjo është bërë e mundur pasi më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky këshill, për shkak të agresioni në Ukrainë. Në këtë mënyrë gjasat për anëtarësimin e Kosovës po shihen si reale.

Këshilli i Evropës është një organizatë evropiane e themeluar në Strasburg, Francë që promovon të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Për pranimin e shteteve të reja në KE, neni 3 i Statutit të KE-së tregon se çdo shtet evropian duhet t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe parimet e shtetit ligjor. Çdo shtet evropian i cili plotëson parimet e nenit 3 të statutit të KE-së, mund të ftohet që t’i bashkohet KE-së.

Rregullorja e punës e Këshillit të Ministrave, respektivisht neni 25, thotë se për t’u marrë në konsideratë anëtarësimi i një shteti të ri në KE, iniciativa duhet të vijë nga një shtet anëtar i KE-së dhe propozimi për këtë duhet të futet me kohë në agjendë për mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave të Jashtëm. Më pas Këshilli i Ministrave i kërkon opinion apo rekomandim Asamblesë Parlamentare.

Kjo e fundit formon një komision, i cili mbikëqyr nga afër përputhjen e legjislacionit vendor me parimet ligjore të KE-së. Ky komision pastaj paraqet një raport para asamblesë dhe në bazë të tij asambleja me 2/3 e votave të anëtarëve merr vendim për apo kundër anëtarësimit të Kosovës në KE. Duke u bazuar në shtetet që e kanë njohur Kosovën, me përjashtimin e Rusisë, institucionet e Kosovës pretendojnë se kanë votat e nevojshme për këtë anëtarësim.

CATEGORIES
Share This