Kryesuesja e bordit të OSHP-së dhe katër gjyqtarë dorëhiqen për t’u bërë noterë

Kryesuesja e bordit të OSHP-së dhe katër gjyqtarë dorëhiqen për t’u bërë noterë

Të paktën katër gjyqtarë kanë lënë postet e tyre për t’u bërë noterë. Këtë e kanë konfirmuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës. E dorëheqje nga pozita e saj ka dhënë edhe kryesuesja e bordit të OSHP-së, Vjosa Gradinaj. Afati i noterëve të rinj për t’u përcaktuar nëse duan të hapin zyra apo të vazhdojnë me pozitat aktuale është edhe dy ditë.

Poste të rëndësishme publike po shihen nga juristët më pak të rëndësishme se ushtrimi i profesionit të noterit.

Pasi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka nxjerrë vendim në lidhje me emërimet e noterëve të rinj në komuna të ndryshme të Kosovës, zyrtarë publikë kanë dhënë dorëheqje nga pozita të ndryshme publike.

Vjosa Gradinaj Mexhuani ka kryesuar bordin e OSHP-së nga viti i kaluar. Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik është një nga institucionet me të rëndësishme në vend.

Kjo për shkak se përmes OSHP-së kalojnë vendimet për rreth 400 milionë euro që shpenzohen përmes prokurimit publik.

OSHP-në Gradinja Mexhuani e ka lënë pasi është emëruar notere në territorin e Ferizajt.

KOHA ka dërguar pyetje për këtë çështje në OSHP, por nuk ka marrë përgjigje.

Përveç saj, ka pasur dorëheqje edhe në institucione të tjera. Një nga to janë gjykatat. Të paktën katër gjyqtarë kanë paraqitur dorëheqjet për t’u bërë noterë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka bërë me dije emrat, por vetëm ka konfirmuar largimet.

“Për shkak të emërimit si noterë kanë dhënë dorëheqje katër (4) gjyqtarë”, u tha nga KGJK-ja.

Dy nga gjyqtarët e emëruar si noterë janë nga Gjykata Komerciale. Arnis Dumani e Saranda Kurtbogaj Sheremeti janë caktuar noterë më 15 korrik të këtij viti.

Bazuar në Ligjin për Noterinë, noterët e caktuar nëse duan të vazhdojnë me hapjen e zyrave, brenda 30 ditësh duhet të tërhiqen nga pozitat që mbajnë.

Afati për këto pozita kalon pas dy ditësh e kjo përcaktohet edhe në vendimet për emërimet e tyre.

“Në pajtim me nenin 20 të Ligjit nr 06/l-100 për Noterinë, obligohet e emëruara që brenda periudhës prej 30 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, t’i ofrojë Ministrisë së Drejtësisë dëshminë përkatëse me të cilën vërteton dorëheqjen e saj nga funksioni aktual zyrtar”, u tha në vendimin për emërimin.

Përzgjedhja e noterëve të rinj ka shkuar përmes dy proceseve.

Njëri i vitit 2019 kur ministër ishte Abelard Tahiri, e që të parët në lista u renditën juristë në afërsi me PDK-në ose komisionin e atëhershëm.

Tjetri në kohën e kësaj qeverie. Një pjesë e madhe e noterëve të procesit të parë u emëruan në qytete të largëta nga vendbanimet e tyre.

CATEGORIES
Share This