Kurti: Çdo marrëveshje që nënshkruhet, do të jetë për të mirën e vendit (Video)

Kurti: Çdo marrëveshje që nënshkruhet, do të jetë për të mirën e vendit (Video)

Kryeministri Albin Kurti, me një video mesazh, uroi qytetarët e Kosovës për festën e fundvitit, derisa foli për zhvillimet, sfidat dhe angazhimet e qeverisë për këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Kurti tha se viti 2023 ishte transformues që ka lënë gjurmë në vend, ndërsa foli edhe për procesin e dialogut dhe marrëveshjet me Serbinë, përcjell KosovaPost.

“Në këtë proces të vazhdueshëm dhe në bisedimet shumë të gjata që kanë paraprirë e do të vazhdojnë, do të doja t’i sigurojë qytetarët se çdo marrëveshje që do të nënshkruhet do të jetë në të mirë të vendit tonë dhe nuk do të kërcënojë sigurinë e integritetin territorial, kushtetutshmërinë e rendin ligjor të vendit tonë”, tha Kurti.

Ai përmendi të arriturat, por edhe sfidat, sikurse ato që vijnë nga fqinji verior i Kosovës, që për qëllim ka destabilizimin e vendit dhe rajonit.

“Kemi arritur në fund të një viti që, pa dyshim, ka lënë gjurmë në shtetin tonë. Ky vit shënoi 25 vjetorin e një ndër kapitujve më të dhimbshëm në historinë tonë: krimet e kryera nga regjimi gjenocidal serb. Por, në anën tjetër po këtë vit festuam 15- vjetorin e pavarësisë sonë të arritur me mund e sakrifica, si një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe fuqisë së rezistencës së popullit tonë. Pesëmbëdhjetë vjet mund të duken pak në historinë botërore, por për ne, këto vite përfaqësojnë tërësinë e ekzistencës si shtet sovran”, tha ai.

Kurti tha se janë përballur me sprova të shumta e megjithatë, qëndrojnë më të fortë se kurrë dhe të palëkundur në përkushtimin drejtë progresit dhe prosperitetit.

“Rrugëtimi ynë ka pasur sfidat e veta. Ka momente kur duket që forca të jashtme po mundohen vazhdimisht të na destabilizojnë. Mirëpo, shteti ynë nuk është vetëm një copë toke; është rezultati i përbashkët i përpjekjeve, sakrificave dhe ëndrrave të popullit tonë. Shtetin tonë e kemi fituar me meritë dhe nuk e marrim si të mirëqenë. Pavarësisht nga forcat e jashtme ne vazhdojmë të rritemi dhe zhvillohemi. Dua t’u siguroj se kjo Qeveri, Qeveria juaj, e merr seriozisht besimin tuaj. Jemi të vetëdijshëm për barrën e përgjegjësisë me të cilën jemi ngarkuar dhe jemi të vendosur që t’ju shërbejmë me devocion dhe integritet”, tha ai.

Qeveria që drejtohet nga ai, siç tha Kurti, është garanci e mos korruptimit dhe është garanci e luftimit të korrupsionit. Kurti në këtë video-mesazh përmendi progresin e qeverisë për periudhën e shkuar, duke cituar platformën e SuperPunës, finalizimin e pakos së Vetingut, Themelimin e Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të kryera gjatë Luftës, Miratimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, etj.

“Po e mbyllim vitin edhe me mbështetjen e aleatëve tanë ndërkohë që përgatitemi për të ardhmen, me sa më shumë progres në vlerat themelore të demokracisë e të drejtave të njeriut, e me interesa të përbashkëta të me Bashkimin Evropian dhe Shtete e Bashkuar të Amerikës. E ky bashkërendim merr edhe më shumë rëndësi kur siguria e Evropës po kërcënohet nga forca destrabilizuese. Kosova merret si shembull i shtetit të së drejtës…”, tha Kurti.

 

CATEGORIES
Share This