Kurti në konventën e demokratëve në Çikago, Hovenier tregon se është ftuar NDI

Kurti në konventën e demokratëve në Çikago, Hovenier tregon se është ftuar NDI

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka marrë ftesë nga Qeveria Amerikane, por nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), në SHBA që është në krahun e Partisë Demokratike, ku Kamala Harris do ta pranojë nominimin si kandidate të demokratëve përballë republikanit Donald Trump, në kuadër të zgjedhjeve të nëntorit që mbahen në SHBA.

Siç është raportuar dje, aty pos Kurtit nga Kosova do të jetë edhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike, Alush Gashi dhe Sekretari për marrëdhënie me jashtë i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj.

Në lidhje me ftesën për Kurtin, ambasadori amerikan është pyetur nga Radio Evropa e Lirë, por ambasadori theksoi se ftesa nuk është nga Qeveria Amerikane.

“Sa e di unë, kryeministri Kurti planifikon të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI – National Democratic Institute). Por, të jemi të qartë, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane. Partia Demokratike është një parti politike në Shtetet e Bashkuara. NDI-ja është krah i Partisë Demokratike që punon në ndërtimin e partive dhe institucioneve demokratike jashtë vendit”.

“Pra, kryeministri është ftuar nga NDI-ja, besoj në cilësinë e tij si kryetar i një prej partive të Kosovës, ashtu siç NDI-ja i ka ftuar edhe kryetarët e partive tjera të Kosovës. Por, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane”, ka thënë ndër tjerash ambasadori amerikan.

Ndër tjerash, Jeffrey Hovenier, ka thënë se qeveria amerikane është sfiduar nga kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij “në disa mënyra”.

SHBA-ja kritikon veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri që i quan “të njëanshme”. Këtu përfshihet edhe paralajmërimi i ekzekutivit të drejtuar nga Albin Kurti për hapjen e urës së librit.

Opozita në Kosovë kritikon Kurtin për “përkeqësim të raporteve me SHBA”.

CATEGORIES
Share This