Migrimi dhe krimi i organizuar: Ministri Sveçla prezanton arritjet e Kosovës në Samitin e Berlinit

Migrimi dhe krimi i organizuar: Ministri Sveçla prezanton arritjet e Kosovës në Samitin e Berlinit

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka zhvilluar takime të rëndësishme në kuadër të Samitit të Berlinit, duke diskutuar sfidat e migrimit të jashtëligjshëm dhe krimit të organizuar me zyrtarë të lartë nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në një postim në rrjetet sociale, Sveçla theksoi përkushtimin e Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar në forcimin e kapaciteteve të Kosovës. Ai takoi Ministren Federale për Punë të Brendshme dhe Komunitete në Gjermani, Nancy Feaser, dhe Ministren e Shtetit për Siguri Kufitare dhe Azil në Mbretërinë e Bashkuar, Dame Angela Eagle, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë.

“Pas këtyre takimeve të frytshme, diskutuam me përfaqësues nga rajoni dhe më gjerë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe organizata ndërkombëtare, mbi sfidat e migrimit të jashtëligjshëm dhe krimit të organizuar,” tha Sveçla, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të luftuar këto fenomene.

Ministri gjithashtu prezantoi arritjet e Kosovës në këto dy fusha, duke vlerësuar progresin e vendit në menaxhimin e migrimit dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Sveçla ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të vazhduar angazhimin në kuadër të Procesit të Berlinit, një iniciativë që synon të rrisë bashkëpunimin rajonal dhe të zgjidhë çështjet komplekse të sigurisë.

“Kosova është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të triumfuar ndaj këtyre sfidave,” përfundoi Sveçla.

CATEGORIES
Share This