Miqtë Laburistë të Kosovës e mbeshtesin qeverinë për hapjen e urës! “Kujdes nga efekti negativ – Serbia të mos pyetet”

Miqtë Laburistë të Kosovës e mbeshtesin qeverinë për hapjen e urës! “Kujdes nga efekti negativ – Serbia të mos pyetet”

Iniciativa “Miqtë Laburistë të Kosovës” në Britani të Madhe i ka dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës në lidhje me hapjen e urës së Ibrit.

Megjithatë, në komunikatën e kësaj iniciative është thënë se duhet të kihet kujdes në mënyrë që ky veprim të mos e arrijë efektin e kundërt.

“Iniciativat që bashkojnë komunitetet, siç është hapja e urës së Mitrovicës për trafikun e automjeteve, duhet të mirëpriten – por ato duhet të zbatohen me kujdes që të mos kenë efekt të kundërt”, u tha në komunikatën e kësaj iniciative, e cila është themeluar në shkurt të këtij viti.

Miqtë Laburistë të Kosovës thanë se nxisin të gjitha palët që të përcaktojnë një plan zbatimi efektiv dhe afat kohor për hapjen e plotë të Urës, “në mënyrë që të maksimizohen përfitimet ekonomike dhe komunitare nga kjo në mënyrë të sigurt dhe sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ndër të tjera, kjo iniciativë ka kërkuar që për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit të mos konsultohet Serbia, por vendimi duhet të merret nga Qeveria e Kosovës.

“Ne e hedhim poshtë nocionin se vendet fqinje duhet të konsultohen për hapjen e plotë të një ure në territorin sovran të Kosovës – ky është vendim i Qeverisë së Kosovës që duhet të merret në harmoni të plotë me përfaqësuesit e pakicave dhe me mbikëqyrjen e aleatëve të Kosovës, përfshirë Britaninë e Madhe, të cilët janë garantuesit përfundimtarë të sigurisë në vend”, ka theksuar iniciativa “Miqtë Laburistë të Kosovës”.

Në ceremoninë e themelimit të kësaj iniciative, më 27 shkurt të këtij viti, morën pjesë: baronesha Catherine Ashton, deputetët Laburistë David Lammy, Christian Wakeford, Stephen Doughty, Luke Pollard, Nia Griffith, Wayne David, Dan Jarvis, Shabana Mahmood, Liz Twist, Gill Furniss, Anneliese Dodds e cila është dhe Sekretare në Hije e Shtetit për Gratë dhe Barazitë, dhe ish-sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson.

CATEGORIES
Share This