Mospajtime politike apo inate personale! Si shihën përplasjet e fundit Kurti – Ram?

Mospajtime politike apo inate personale! Si shihën përplasjet e fundit Kurti – Ram?

Përplasjet verbale mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, vlerësohet se kanë të bëjnë me çështje politike, por nuk përjashtohen as ato personale. Mospajtimet e dy udhëheqësve kulmuan më 6 korrik, kur Kurti refuzoi të takonte Ramën, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë.

Një ditë më herët, Kurti tha se me Ramën do të takohej vetëm në mbledhjen e qeverive të të dyja shteteve. Një mbledhje e tillë, e planifikuar të mbahej më 14 qershor, nuk u mbajt, pasi Rama kërkoi që t’i ndërrohej formati, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.

Situata e sigurisë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u përkeqësua qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Kurti nuk i përfilli kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për tërheqjen e këtyre kryetarëve dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.

Mbledhja “nuk mund të mbahet në formatin e paraparë” dhe “nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që, në fakt, ndodh në realitetin e Kosovës sot”, tha Rama muajin e kaluar.

Në një intervistë, Rama tha se ka insistuar të takohej me Kurtin përpara mbledhjes së planifikuar të qeverive, “për t’ia përcjellë disa shqetësime”, porse kjo nuk ka ndodhur.

Sipas Kurtit, mbledhja e dy qeverive u anulua paarsyeshëm.

“Prandaj, unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të të dyja qeverive, por jo takime të tjera”, tha Kurti më 5 korrik.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, përmendi pikërisht tri momentet, të cilave iu referohet edhe Hasani, si arsye subjektive të përplasjeve Kurti-Rama.

Ato “e kanë dëmtuar Kosovën”, tha Konjufca për mediat, pas takimit me Ramën.

Rama, ndërkaq, Konjufcën e quajti “djalë simpatik”.

Prej kur datojnë mosmarrëveshjet?

Në verën e vitit 2018, mekanizma të ndryshëm shpërfaqën idenë e “korrigjimit” apo “përcaktimit” të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje e mundshme për mosmarrëveshjet mes dy shteteve. Kurti, asokohe, e kritikoi Ramën për mbështetjen e kësaj ideje.

Në dhjetor të po atij viti, Kurti mbështeti protestat e studentëve të universiteteve publike në Shqipëri, që kundërshtonin tarifat e larta të shkollimit dhe kërkonin cilësi më të lartë në arsim.

Më 10 tetor të vitit 2019, pastaj, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut miratuan një deklaratë që çoi drejt marrëveshjes për “Mini-Schengenin” ballkanik, e që më vonë u riemërua si “Ballkan i Hapur”.

Kurti – asokohe kandidat për kryeministër të Kosovës – e kundërshtoi nismën, duke thënë se Rama ka bërë gabim në hapa. Sipas tij, nisma do të duhej të ishte e Kosovës dhe Shqipërisë, për të përfshirë më pas vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e krejt në fund edhe Serbinë.

Këtë nismë e kundërshtuam edhe udhëheqës të tjerë politikë në Kosovë.

Më 25 prill 2021, partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, garoi në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, por mandatin e tretë si kryeministër i Shqipërisë e fitoi Rama.

CATEGORIES
Share This