Në vitin 2004, Bllazheviq bëri homazhe tek varrezat e Jasharëve

Në vitin 2004, Bllazheviq bëri homazhe tek varrezat e Jasharëve

Një foto e rrallë e trajnerit legjendar Miroslav Qiro Bllazheviq, që vdiq të mërkurën, gjatë homazheve te varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

Në foton e realizuar në vitin 2004, Bllazheviq është i shoqëruar nga trajneri Ajet Shosholli, ndërsa prapa tyre shihen Vilson Xhoni dhe i ndjeri Fadil Vokrri.

Trajneri i njohur kroat, Miroslav “Qiro” Bllazheviq kishte thënë se periudha e kaluar në Kosovë ishte më interesantja në karrierën e tij shumë të gjatë.

Bllazheviq kishte drejtuar Prishtinën në mesin e viteve tetëdhjeta, në edicionin kur mision ishte mbetja në elitën e futbollit të ish-Jugosllavisë. Misioni kishte përfunduar me sukses, ndërsa Bllazheviq bëri shumë miq në Kosovë. Ai ende mbahet në mend si një prej trajnerëve më të mëdhenj që ka drejtuar Prishtinën në kohën e artë të saj.

Bllazheviq në një intervistë të dhënë në mars të vititi 2020 foli për periudhën te Prishtina.

Tha se me gjithë kohën e gjatë të kaluar prej kur ka punuar në Kosovë, kosovarët janë në zemrën e tij.

“Vërtetë ishte një aventurë, pasi karriera ime ka zgjatur shumë. Por kur më pyesin se cila periudhë ishte më e mira për mua, unë them se më interesantja ishte në Kosovë. Vetë fillimi ishte i çuditshëm, pasi unë me Grasshoppersin kisha fituar titullin”, kishte deklaruar Bllazheviq.

Legjenda kroate tha se në vitin 1986 nuk e kishte fare në mendje Prishtinën. Ka treguar se e kanë takuar dy persona që i thanë se kanë dhënë besën që do ta sjellin në Prishtinë.

“Unë e di çka është besa, por në fillim nuk i kam marrë seriozisht. Insistimi i tyre se vetëm unë mund t’iu ndihmojë që mos të bien nga liga, ka sjellë disa dyshime në mendimet e mia. Në fund pranova dhe nuk jam penduar”, kishte thënë Bllazheviq.

Sipas tij bëhej fjalë për persona të klubit, por edhe të Komitetit të atëhershëm, që në atë periudhë ishin njerëzit kryesorë.

Bllazheviq e kujtonte me shumë dëshirë periudhën te Prishtina. Kishte bërë miq të mirë, ndërsa fëmijët e tyre i drejtoheshin me shumë dashuri. Kjo sipas legjendës ishte shenjë se ka lënë gjurmë.

“Ne trajnerët varemi edhe nga rrethanat. Atëherë të gjithë ishin në këmbë dhe është jetuar për atë që Prishtina të shpëtojë. Unë kam ardhur si një lloj ylli, pasi kisha fituar titullin me Dinamon në vitin 1982. Pritjet ishin shumë të mëdha që do t’i shpëtojmë nga rënia prej ligës. Mund të mendoni tani, 35 mijë njerëz vazhdimisht ishin në stadium e po aq jashtë tij. Ishte një eufori e futbollit që nuk harrohet. Ne trajnerët gjithnjë e dëshirojmë një atmosferë të tillë, klimë të tillë. E çfarë klime kanë krijuar për mua miqtë e mi, është e paharruar”.

Bllazheviq tha se të gjithë lojtarët e Prishtinës ishin të thjeshtë. Ka theksuar se as legjendën Fadil Vokrri nuk e ka lejuar që të veçohet. Sipas tij është gabim i trajnerit kur ndonjë lojtar favorizohet. Ai ka konfirmuar se tifozët e kanë bartur në krah nga stadiumi deri në Hotelin Grand.

“Më kanë hedhur në ajër te Hoteli Grand aq sa të arrija në katin e dytë. Tereza Kesovija, të cilën e kam ftuar që të nis topin nga mesi , ishte në dritare në katin e dytë, ndërsa tifozët më hidhnin mua. Kur e ka parë se si po fluturoj ka mbetur e shokuar. Është një prej momenteve që i kam përjetuar në Kosovë. Në çdo vend atje kam ndjerë shumë dashuri. Ndërsa ne trajnerët varemi nga rezultatet. Kur i ke atëherë je njëshi, kur nuk i ke mbledh plaçkat dhe ik”.

Sipas tij, ndeshja më e rëndësishme ishte me Vardarin, ndoshta vendimtare. Ka thënë se në atë ndeshje ka bërë diçka që nuk e ka bërë asnjëherë tjetër në karrierë. Ka kërcënuar lojtarin më të mirë të kundërshtarit.

Ka folur për raporte me njerëz të politikës të asaj kohe dhe rrezikun që ishte të drejtonte Prishtinën. Ka treguar se vazhdimisht ka pasur roje me vete që ia ka siguruar Prishtina.

“Natyrisht se ishte rrezik. Ku shkoj unë është rrezik”.

Bllazheviq ka përjashtuar mundësinë që të ketë pasur ndeshje të kurdisura në atë kohë. Me lojtarët që i kishte te Prishtina nuk ka kontakt, por vazhdimisht takon dikë nga Kosova dhe bënë fotografi.

“Nuk kam qenë kohë të gjatë në Prishtinë, por kam dëshirë që të vijë si anonim dhe pak të kujtoj atë kohë”, ka thënë Bllazheviq. Ai ka thënë se mori Prishtinën në vend të fundit dhe kampionatin e mbylli në mes të tabelës. I është kthyer edhe njëherë pritjes në Prishtinë.

“Kam arritur në tre të mëngjesit dhe mijëra njerëz më kanë pritur. Të gjithë kanë besuar se me ardhjen time Prishtina do të shpëtojë. Nuk ishte lehtë të përballohej ai presion. Kur pritjet janë të mëdha për shkak të renomesë dhe kredibilitetit, atëherë duhet të përgatitesh mirë për të arsyetuar pritjet. Nuk ishte fitore e futbollit. Ishte fitore nacionale, ashtu e kanë pranuar ata”, tha Bllazheviq.

Sipas tij, Kosova ka lojtarë të talentuar dhe se përfaqësuesja e Kosovës ka dëshmuar se mund të jetë konkurrente.

*Bllazheviq vdiq të mërkurën një ditë para ditëlindjes së 88-të, pas një lufte të gjatë me kancerin.

CATEGORIES
Share This