Nela: “Qëndrimi i Kurtit edhe i Osmanit i ka rikthyer dinjitetin politikës kosovare në raport me ndërkombëtarët”

Nela: “Qëndrimi i Kurtit edhe i Osmanit i ka rikthyer dinjitetin politikës kosovare në raport me ndërkombëtarët”

Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka potencuar se qeveria e tij synon hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, dhe që ai veprim nuk është kundër askujt.

“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

E kundër hapjes së urës së Ibrit kanë dalë ndërkombëtarët, përfshir SHBA dhe BE-në.

E në lidhje me këtë ngjarje, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli publicisti Milaim Nela.

Image

Milaim Nela.

Si fillim, ai u shpreh se qasja e ndërkombëtarëve ka ndryshuar tërësisht, pas shpalljes së pavarësisë.

“Ajo që mund ta themi me siguri është që kemi një faktor ndërkombëtar krejt të ndryshëm të paktën që nga shpallja e pavarësisë se Kosovës.

Periudha Obama ndoshta ishte periudha më e keqe për sa i takon Kosovës që nga çlirimi ku patëm një mungesë thuajse totale të vëmendjes amerikanë ndaj Kosovës. Në atë kohë u bënë marrëveshje me Serbinë përmes Brukselit pasojat e të cilave po i vuajmë edhe sot. I ashtquajturi dialog nga teknik sot është thuajse i pastër politik dhe gati po vë në diskutim edhe pavarësinë e arritur me aq mund në vitin 2008”.

Po ashtu, Nela tha se ndërkomëbtarët janë mësuar me ish-pushtetarët e kaluar të cilët i kanë thënë “po” për çdo gjë, e që kjo gjë ka ndryshuar tërësisht me ardhjen e Kurtit në pushtet.

“Ndërkombëtarët për kohë të gjatë janë sjellë me politikanët e Kosovës si agai me çirakun dhe duke qenë se kemi patur një elitë të korruputuar e në masë të madhe të shantazhuar keq qasja ka qenë per fat të keq “yes man” për çdo gjë që kanë kërkuar ndërkombëtarët.

Kjo ndryshoi katërcipërisht me ardhjen e Albin Kurtit që pavarësisht disa gabimeve të këtij të fundit qasja me të cilën ishin mësuar ndërkombëtarët thjesht nuk ka funksionuar. Kjo ka dhënë përshtypjen e gabuar në publik se Kurti nuk i dëgjon ndërkombëtarët apo se është konfliktual”, theksoi publicisti.

Më tej, ai vlerësoi se Kurti dhe Osmani ia kanë kthyer dinjitetin politikës së Kosovës në raport me aleatët perëndimor.

“Për mua qëndrimi i Kurtit e deri diku edhe i Presidentes Osmani i ka rikthyer dinjitetin politikës kosovare në raport me ndërkombëtarët.

Për të ardhur tek përgjigjia e pyetjes tuaj ndërkombëtarët mua më duket se kanë humbur busullën në Ballkan. Nga njëra anë duke favorizuar një politikë jo vetëm antishqiptare por thellësisht pro-ruse e anti perëndimore”.

Ndër të tjera, publicisti shtoi se ndërkombëtarët me këtë qasje, vetëm po ushqejnë politikat dhe iluzionet e Serbisë kundër Kosovës.

“Unë shpresoj që faktori ndërkombëtar të reflektojë sepse me këto qëndrime absurde vetëm se po ushqen fashizmin serb në Beograd dhe iluzionin e Serbisë se mund të bëhet epiqendra e Ballkanit Perëndimor. Ajo që e ka ushqyer këtë iluzion të Serbisë është edhe mbështetja e elitave pro-serbe në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut pasi Shqipëria Zyrtare ndjek politika pro Serbe e për fat të keq kundër Kosovës që nga viti 2013!” – përmbylli Milaim Nela për “Bota sot”.

CATEGORIES
Share This