Opozita në Serbi thotë se Vuçiqi të hënën do të nënshkruajë marrëveshje ndër-shtetërore me Kosovën

Opozita në Serbi thotë se Vuçiqi të hënën do të nënshkruajë marrëveshje ndër-shtetërore me Kosovën

Disa anëtarë të opozitës në Kuvendin e Serbisë e akuzuan presidentin e këtij vendi, Aleksandër Vuçiq, që do të nënshkruajë marrëveshje ndërshtetërore me Kosovën të hënën, ku pritet të mbahet takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësim të BE-së.

Deputetja e subjektit politik ‘Dvera’, Tamara Milenkoviq Kerkoviq, deklaroi se Vuçiq do të nënshkruajë në Bruksel të parën “të ashtuquajturën marrëveshje bazë bilaterale ndërkombëtare” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përcjell Demokracia.com.

Sipas saj, Marrëveshja e Brukselit humbet rëndësinë e saj dhe vihet në pikëpyetje pozita e vendeve që nuk e njohin Kosovën si të pavarur.

Ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës në Serbi, Goran Vesiq, tha se është “gënjeshtër” se Vuçiq do të nënshkruajë marrëveshje mes dy vendeve, duke thënë se ai në një seancë të fundit parlamentare atje disa herë ka deklaruar se “nuk do njohin Kosovën sepse është pjesë integrale e Serbisë”.

Deputeti i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Zoran Stojanoviq, duke lexuar preambulën e Kushtetutës, ku flitet për Kosovën, tha se “as 100 miliardë investime gjermane nuk vlejnë sa një metër e territorit të Kosovës”.

Deputetja e Partisë Progresive Serbe, Natasha Jovanoviq, ka thënë se preambula për Kosovën në Kushtetutë është miratuar falë radikalëve, anëtare e të cilëve edhe ajo, dhe ka akuzuar ish-qeverinë se nuk ka bërë asgjë kur Republika e Kosovës shpalli pavarësinë, më 17 shkurt të 2008-ës.

CATEGORIES
Share This