Pahor tregon “problemin” e Kurtit, thotë se beson që mund ta bindte Qeverinë për Asociacionin

Pahor tregon “problemin” e Kurtit, thotë se beson që mund ta bindte Qeverinë për Asociacionin

Ish-presidenti slloven, Borut Pahor që po synon të bëhet ndërmjetësues i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se për të dalë nga rrethi vicioz i krijuar në këtë proces, duhet të respektohet marrëveshja e Ohrit.

Në një intervistë për “N1” slloven, ai ka folur për Asociacionin:

“Fillimisht, është e nevojshme të respektohet ajo që është arritur në Ohër. Kjo marrëveshje ka të gjitha karakteristikat e një traktati ndërkombëtar detyrues dhe të dyja palët janë të detyruara t’i përmbushin marrëveshjet dhe parimet që i lidhin – Kosova të krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Serbia të vazhdojë proceset për të cilat është angazhuar”.

Pahor ka thënë se Kosova ka bërë një premtim para 10 viteve, dhe se duhet të arrihet një kuptim me Qeverinë e vendit për rëndësinë e Asociacionit.

Po ashtu, ai theksoi se problemi i kryeministrit Albin Kurti dhe politikës në Kosovë, është se Asociacionin e shohin si një Republikë Srpska.

“Problemi me kryeministrin Albin Kurti, me Qeverinë dhe gjithë publikun politik në Kosovë, është se ata e shohin Asociacionin e komunave me shumicë serbe si një vazhdim të botës serbe, ose paralel me Republikën Srpska në Bosnje e Hercegovinë. Frikësohen se kjo në fakt i jep Serbisë një levë formale për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës.” – tha ai

Megjithatë, Pahor ka shtuar se edhe kjo do të mund të arrihej, dhe se nëse nuk do të ishte i sigurtë, nuk do të kandidonte për pozitën e emisarit.

“Por ky premtim është dhënë dhe është nënshkruar, dhe në Kosovë janë të obliguar të përmbushin, dhe mendoj që kjo është e mundur të arrihet pas një procesi. Nëse nuk do të mendoja që do të arrihej – edhe pse secili thotë që jo aktualisht – nuk do të kandidoja për këtë pozitë.” – u shpreh ish-presidenti slloven./GazetaSinjali

CATEGORIES
Share This