Pas vendimit të Apelit, ku do ta vuajnë dënimin Hysni Gucati e Nasim Haradinaj?

Pas vendimit të Apelit, ku do ta vuajnë dënimin Hysni Gucati e Nasim Haradinaj?

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj përfundimisht u dënuan me nga 4 vjet e 3 muaj burgim nga Dhomat e Specializuara të Hagës. Ata po vazhdojnë të qëndrojnë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë edhe më tutje. Por ku do ta vuajnë dënimin?

Sipas Ligjit të Gjykatës Speciale, vendimi se ku do ta vuajnë dënimin Gucati dhe Haradinaj i takon kryetare së Dhomave, Ekaterina Trendafilova. Ajo mund të vendosë që liderët e Organizatës së Veteranëve të Luftës, të dërgohen për vuajtjen e dënimit në një vend të tretë.

“Përderisa dënimi të jetë përfundimtar, ata do të vazhdojnë të qëndrojnë Hagë, por kur vendimi të jetë i plotfuqishëm në pajtim me Kushtetutën dhe Dhomat e Specializuara dhe sipas procedurave penale dhe provave dhe pasi presidentja t`i ketë dëgjuar të akuzuarit, do të përcaktojë se ku do ta vuajnë dënimin të dënuarit”, thuhej në një përgjigje të Gjykatës Speciale për Nacionalen para se të shpallej vendimi nga Apeli.

Vendi ku ata do të mund ta vuanin dënimin është një nga shtetet kontribuuese të Speciales apo një vend në kuadër të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, avokatët e Gucatit e Haradinajt po kërkojnë që dy klientët e tyre të mbeten edhe më tutje në Qendrën e Paraburgimit në Scheveningen të Hagës.

Në një komunikatë për media, avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman, kërkoi që Haradinaj ta vuajë dënimin në Kosovë.

“Në pritje të ankesës në Kolegjin e Gjykatës Supreme, z. Haradinaj duhet të qëndrojë në Njësinë e Paraburgimit në Hagë dhe sa i përket çdo transferimi, z.Haradinaj do të presë që përfundimisht të transferohet për të vuajtur çdo dënim në Republikën e Kosovës, ashtu siç duhet. Kujtojmë se kjo nuk është një gjykatë ndërkombëtare apo ad hoc, por një organ gjyqësor vendas”, thuhet në reagimin e Toby Cadman.

Një kërkesë të ngjashme e patën edhe nga mbrojtja e Hysni Gucatit.

“Nuk kemi arritur akoma të konsiderojmë detajet e vet aktgjykimit por, mund të cekim se do ta apelojmë çështjen më tej në Gjykatën Supreme të Dhomave të Specializuara të Kosovës sa i takon shkeljeve esenciale të procedurës dhe të ligjit gjatë shqyrtimit kryesor dhe gjatë procedurës në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë ne presim që Zt. Gucati të mbetet në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara deri në vendimin e plotfuqishëm nga Gjykata Supreme”, thuhet në komunikatën e mbrojtjes së Gucatit.

Në qendrën e paraburgimit ku Gucati e Haradinaj po qëndrojnë aktualisht, janë bashkë me të gjithë të akuzuarit tjerë nga Gjykata Speciale në Hagë.

Avokatët kanë paralajmëruar ankesë në shkallën e tretë, atë të Gjykatës Supreme në Hagë.

Vendimi i Gjykatës së Apelit

Gjykata e Apelit në Hagë vendosi që t’ua ulë për nga 3 muaj dënimin Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Ata do të qëndrojnë në burg 4 vjet e 3 muaj burgim, për dallim nga 4 vjet e gjysmë sa ishin të dënuar në shkallën e parë. Atyre do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Kështu kishte bërë të ditur kryetarja e trupit gjykues të apelit, Michele Picard.

Ajo ka deklaruar se pothuajse në të gjitha arsyetimet e shkallës së parë së gjykatës, ka pasur bazë dhe argumente, duke rrëzuar kështu ankesat e avokatëve të Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Megjithatë, disa nga ankesat e avokatëve kanë dalë të bazuara, sidomos ajo në bashkimin e veprave penale për të cilat akuzoheshin Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Paneli nuk gjeti asnjë dënim as lidhur me kohëzgjatjen e dënimit. Përveç uljes së dënimit për 3 muaj.

“Dënimi për Gucatin e Haradinajn të ulet për secilin të ulet nga 3 muaj”, tha kryetarja e trupit gjykues.

“Trupi gjykues nuk gaboi lidhur me peshën e veprave penale të përshkruara në aktakuzë. Vlerësoi me kujdes provat dhe të gjithë akterët lidhur me kryerjen e veprave penale. Paneli konstaton se z.Gucati nuk ka arritur të provojë gabim në përcaktimin e dënimit. Paneli gjykon sikurse që u diskutua, përputhshmëria në dënim është e rëndësishme, por duhet mundësuar ushtrimi i kompetencës së trupit gjykues. Paneli është i vetëdijshëm për ndryshimin e dënimeve nga Tribunali i Hagës, Paneli nuk mund të shpërfill faktet konkrete të kësaj çështje”, tha kryetarja e trupit gjykues.

Qysh në nisje të fjalimit të saj, Picard deklaroi se dëshmitarët dhe kërcënimi i tyre, është shqetësimi kryesor që ka bërë krijimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

“Para themelimit të Dhomave të Specializuara, pengesat e hasura nga gjykatat dhe tribunalet e tjera, përbënin shqetësim të vazhdueshëm ku përfshihej ngurrimi ose frika e dëshmitarëve dhe mungesën e besimit te masat mbrojtëse. Pikërisht në këtë kontekst u krijuan Dhomat e Specializuara. Lloji i krimeve që përfshihen në juridiksionin e Gjykatës Speciale, bëjnë me rëndësi të madhe dëshmitë gojore. Mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi dhe dëmtimi është në themel të drejtësisë penale, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara. Kjo çështje ka të bëjë me administrimin e drejtësisë, integritetin e procesit dhe dëshmitarëve”, tha Picard.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj paraprakisht ishin dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim.

my-portfolio

CATEGORIES
Share This