Petkoviqi i reagon Hovenierit: Lista Serbe është zë i serbëve dhe jo i ambasadave

Drejtori i ashtuquajtur i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj ambasadorit amerikan në Kosovë, duke theksuar se kufijtë e Kosovës janë ato të Serbisë sipas Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244. Në anën tjetër, ambasadori amerikan ka konfirmuar se SHBA e njeh Kosovën si shtet sovran, të pavarur dhe demokratik dhe nuk ka dyshime për këtë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka reaguar Ambasadorit amerikan në Kosovë për deklaratat e tij se Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik, dhe se kufijtë e Kosovës njihen botërisht se ku janë.

“Ne e dimë mirë @USAmbKosovo ku janë kufijtë në Kosovës ata janë kufijtë e Serbisë në përputhje me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të OKB-së”, ka thënë Petkoviq.

“Dhe Lista Serbe është zgjedhja dhe zëri i popullit serb që mbron interesat kombëtare të popullit të tij në Kosovë, jo të ambasadave të huaja”, ka shkruar në Twitter.

“Ne e dimë mirë ku janë kufijtë e Kosovës, ata janë kufij të Serbisë në përputhje me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244”, ka shkruar ai.

Ndërsa Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff  Hovenier të martën para mediave ka theksuar se nuk vihet në pyetje fakti se Kosova është shtet sovran e se Lista Serbe është parti politike opozitare në Kosovë si çdo tjetër.

“SHBA-ja e konsideron Kosovën të jetë, dhe që nga viti 2008 nga shpallja e pavarësisë, ne e kemi njohur të jetë shtet sovran, i pavarur dhe demokratik. Puna që bëjmë ne me Listën Serbe, si parti politike e Kosovës, është puna që e bëjmë edhe me të tjera parti opozitare në Kosovë. Nuk duhet të ketë pyetje apo sugjerim për qëndrimin e SHBA-së se Kosova është tjetër pos shtet i pavarur. Dhe kjo përfshin veriun e Kosovës, siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht ku është kufiri. Ne duam që Lista Serbe ta luajë rolin e vet si parti politike në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike. Ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, e konsiderojmë si parti e serbëve etnikë në Kosovë. Duhet ta bëjmë këtë të qartë”, ka thënë ambasadori.

CATEGORIES
Share This