Presidenti polak shprehet i sigurtë se raketa që ra në Poloni nuk ka gjasa të ketë qenë ruse

Presidenti polak shprehet i sigurtë se raketa që ra në Poloni nuk ka gjasa të ketë qenë ruse

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka përsëritur se incidenti i një rakete të lëshuar që vrau dy polakë pranë kufirit me Ukrainën duket se ka qenë një aksident dhe se ndoshta ajo nuk ishte ruse.

Siç raporton ‘Polish Radio’, presidenti Duda tha se vendi duhet të jetë i përgatitur se mund të përsëriten ngjarje të ndryshme që rezultojnë nga lufta që po ndodh jashtë vendit.

“Ne po bëjmë gjithçka për të parandaluar që kjo të ndodhë, por ishte praktikisht e pamundur të parandalohej kjo fatkeqësi”, theksoi ai.

Duda tha se ka biseduar me ekspertë dhe zyrtarë ushtarak të cilët thanë se asnjë sistem anti-raketë në një situatë të tillë nuk do të mund të kapte raketën.

Të mërkurën pas një takimi në Byronë e Sigurisë Kombëtare, presidenti polak tha se nuk kishte asnjë indikacion se ngjarja në fshatin Przewodow ishte një sulm i qëllimshëm ndaj Polonisë. Ai po ashtu theksoi se nuk kishte asnjë provë se raketa është lëshuar nga Rusia.

Ai njoftoi se një hetim është në vazhdim, me hetuesit ukrainas që me gjasë do të përfshihen.

Raportet fillestare theksuan se pjesët e raketës me gjasë janë nga një sistem ukrainas kundër raketave që synonte të ndalojë një sulm ajror rus.

Më tej, presidenti polak tha se duket se do të vijë një valë e re refugjatësh në Poloni dhe se përgatitjet për këtë çështje janë duke u zhvilluar.

“Në një kohë kur po zhvillohet lufta në Ukrainë, e cila është rezultat i pushtimit rus të këtij vendi, Podkarpacie (një rajon i Polonisë jugperëndimore) e ka kaluar testin”, tha Duda.

“Infrastruktura energjetike në Ukrainë u shkatërrua dhe ajo u shkatërrua brutalisht nga rusët. Dhe, ukrainasit në shumë raste nuk do të kenë mënyra për të ngrohur apartamentet e tyre, nuk do të kenë ujë të ngrohtë. Duket se një vale e re refugjatësh do të rrjedhë në Poloni”, tha Duda./aa

CATEGORIES
Share This