Prokurori i kimeve të rënda Petrit Kryeziu, caktohet u.d. kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit

Prokurori i kimeve të rënda Petrit Kryeziu, caktohet u.d. kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit

Prokurori Petrit Kryeziu është caktuar ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren. Vendimi është marrë në takimin e 252-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës, pasi paraprakisht është miratuar dorëheqja e Admir Shalës, kryeprokurorit të deritanishëm të kësaj prokurorie.

Propozimi është paraqitur nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, bazuar në performancën e deritanishme të Kryeziut, raporton Telegrafi.

“Unë kam marrë një listë të prokurorëve sa i përket vlerësimit të performancës dhe aty kam parë se nga të gjithë prokurorët që janë në Prokurorinë Themelore në Prizren, prokurori Petrit Kryeziu është më i vlerësuari”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij ndaj Kryeziut nuk ka asnjë masë disiplinore të shqiptuar. Për këtë arsye ka sugjeruar që ai të caktohet u.d. i kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore të Prizrenit nga data 27 gusht 2024 deri në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.

Propozimi i Kelmendit është miratuar njëzëri nga anëtarët e KPK-së, raporton Telegrafi.

Para miratimit të këtij vendimi, anëtarët e KPK-së njëzëri kanë aprovuar edhe dorëheqjen e kryeprokurorit të deritanishëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shalës, bashkë me kërkesën e tij për tu kthyer si prokuror në Prokurorinë Speciale të Kosovës, teksa është shprehur edhe mirënjohja ndaj tij për menaxhimin e suksesshëm të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

CATEGORIES
Share This