Publikohet video nga stuhia në Palermo, deti “përpiu” jahtin luksoz në 60 sekonda

Publikohet video nga stuhia në Palermo, deti “përpiu” jahtin luksoz në 60 sekonda

Një kamera sigurie ka filmuar momentin kur jahti superluksoz “Bayesian” u fundos natën e së dielës në brigjet e Palermos.

Sip as medias italiane ANSA, videoja është marrë nga një kamerë e një vile 200 metra larg vendit ku ishte ankoruar varka dhe e tregon mjetin lundrues duke u fundosur përballë Porticellos.

“Në vetëm 60 sekonda mund të shihni që anija zhduket”, tha pronari i vilës. “Rastësisht, pasi u publikua lajmi, pashë kamerat. Më thanë fëmijët e mi. Nga rreth 20 kamerat e vendosura në shtëpi, vetëm njëra nuk u rrëzua nga stuhia. Ju mund ta shihni shumë mirë se çfarë po ndodhte”, shtoi ai.

Teksa ende po kryhen kërkime për gjetjen e të zhdukurve, ekipet e shpëtimit kanë paralajmëruar se 24 orët e ardhshme janë “kritike” nëse ka ndonjë shpresë për të gjetur dikë të gjallë, me gjasat që të ketë ajër ende brenda rrënojave.

Rojet bregdetare italiane thonë se personat e zhdukur mund të kenë mbetur të bllokuar brenda jahtit të fundosur. Zëdhënësi Vincenzo Zagarola tha se ata mund të mos kenë pasur kohë të zbresin nga anija pasi ajo u fundos shumë shpejt.

 

CATEGORIES
Share This