Qeveria s’po i dëgjon, veteranët e UÇK-së i drejtohen Osmanit për pagën minimale
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka treguar se i kanë dërguar sot kërkesë për takim zyrtar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Një veprim i tillë vjen pasi Kuvendi i Kosovës nuk i futi veteranët e luftës në Projektligjin për Pagën Minimale, që u miratua javën e kaluar.
Ky projektligj parasheh që paga minimale të bëhet 264 bruto, por që nuk i përfshinë edhe veteranët e UÇK-së.
Për këtë çështje, si Klinaku ashtu edhe partitë opozitare kanë pasur vërejtjet e tyre karshi pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, sot i kanë dërguar kërkesë për takim zyrtar Presidentes së Republikës së Kosovës Dr. Vjosa Osmani Sadriu, lidhur me çështjen e miratimit nga Kuvendi i Kosovës, të ligjit për pagën minimale, me anë të të cilit janë përjashtuar veteranët e luftës së UÇK-së”, ka shkruar Klinaku në Facebook.
Ende nuk dihet se cila do të jetë përgjigja e shefes së shtetit karshi kërkesës për takim nga organizatat e dala prej luftës.
Klinaku, javën e kaluar ka deklaruar se Qeveria aktuale e Kosovës nuk po mban asnjë kontakt me OVL e UÇK-në, duke mos i thirrur as në takime e as nuk është duke iu dhënë vërtetime veteranëve për të marrë beneficionet e tyre.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar se do të ketë protesta të vazhdueshme deri sa të plotësohen kërkesat e tyre. Protesta e fundit e veteranëve të UÇK-së u mbajt të shtunën e kaluar, ku u kërkuar – ndër të tjera – dorëheqja e Qeverisë Kurti.