Sunak pranon humbjen, Starmer kryeministër: Britania do të ndryshojë përgjithmonë

Sunak pranon humbjen, Starmer kryeministër: Britania do të ndryshojë përgjithmonë

Downing Street “vishet” me të kuqe.

Keir Starmer, lideri i Laburistëve, është tashmë kryeministër i ri i Britanisë së Madhe. Mbreti Çarls i Tretë i dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë së re, pasi të majtët triumfuan bindshëm në zgjedhjet parlamentare duke fituar të paktën 412 vende, kundrejt 121 të Konservatorëve.

Starmer shkoi më pas në Downing Street, ku do të jetë “shtëpia” e tij për 4 vite, nga ku mbajti dhe fjalimin e parë si kryeministër.

“Së pari vendi, më pas partia. Për të qenë i sinqertë me ju, shteti ynë ka nevojë për një ndryshim të madh, për të zbuluar edhe njëherë se kush jemi. Qeveria ime do t’ju shërbejë ju. Politika mund të jetë një forcë për mirë. Ne do ta tregojmë atë. Jetët e punëtorëve që janë injoruar për shumë kohë do të ndryshojnë. E di që ndryshimi nuk vjen me një çelës. Do të përmirësojmë sistemin shëndetësor, sigurojmë kufijt, rrugët tona. Të gjithë do të trajtohen me dinjitet dhe respekt në punë. Kemi mundësi për energji të pastër në Britani, do të ulim faturat tuaja. Dhe tullë pas tulle do të rindërtojmë infrastrukturën e mundësive. Do të bëjmë që shtëpitë të jenë të përballueshme, po ashtu edhe shkollat e klasit botëror.”

Kryeministri i ri e përmbylli fjalimin duke theksuar se puna duhet të nisë urgjentisht dhe se atë e filloi menjëherë me kabinetin e ri.

Rishi Sunak dha dorëheqjen më herët nga drejtimi i qeverisë britanike, duke njoftuar se do të largohet edhe nga drejtimi i partisë Konservatore, por jo menjëherë. “E kam dëgjuar zemërimin tuaj”, konfirmoi Sunak, pas natës katastrofike të forcës së tij politike që ishte në pushtet në 14 vitet e fundit.

CATEGORIES
Share This