Të enjten në Kosovë ndihmës-sekretari i NATO-s, Kurti: Jemi duke i bërë konsultimet e nevojshme për hapjen e Urës së Ibrit, liria e lëvizjes e drejtë themelore

Të enjten në Kosovë ndihmës-sekretari i NATO-s, Kurti: Jemi duke i bërë konsultimet e nevojshme për hapjen e Urës së Ibrit, liria e lëvizjes e drejtë themelore

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka bërë të ditur se të enjten për vizitë në Kosovë do të jetë ndihmës-sekretari i përgjithshëm për operacione i NATO-s, Tomas Gofus gjersa do të diskutohet lidhur me hapjen e urës së Ibrit.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se hapja e urës së Ibrit është liri e lëvizjes, e liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Kosovë, ashtu edhe në Bashkimin Evropian.

Ai tha se përveç Gufos, gjatë javës tjetër për vizitë në Kosovë do të jenë edhe dy ministra nga vendet anëtare të NATO-s.

“Nesër për vizitë vjen Thomas Goffus, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, sot vjen delegacioni danez i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërkaq javën e ardhshme do t’i mirëpresim dy ministra të jashtëm të dy shteteve anëtare të NATO-s. Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes.

E liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, tha Kurti.

Ai po ashtu vuri në pah se për sulmin ndaj Kosovës në veri të vendit, Serbia ende nuk është mbajtur përgjegjëse dhe vijon të mos e dorëzojë kryekriminelin Milan Radoiçiq.

Kurti sërish ka folur edhe për vizitën e shefit të CIA-s, William Burhs dhe admiralit Stuart Munsch.

“Mbështetja e tyre është e palëkundur. Bashkëpunimi është i gjerë dhe i fuqishëm kurse përkushtimi i përbashkët është serioz dhe produktiv në shërbim të paqes dhe sigurisë që ecin paralelisht me sundimin e rendit dhe ligjit si dhe progresin demokratik dhe ekonomik”, tha ai.

CATEGORIES
Share This