Ukrainasit pretendojnë se pritet të ndodhin betejat më të mëdha kundër rusëve
Oleksiy Danilov, Sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, ka pranuar se nuk e përjashton “ndonjë skenar në dy ose tri javët e ardhshme”, duke theksuar se “betejat kryesore akoma nuk kanë ndodhur”.
“Rusia po përgatitet për përshkallëzim maksimal. Ajo po mbledh gjithçka që është e mundur, po stërvitet. Mund të them se nuk përjashtojmë asnjë skenar në dy deri në tri javët e ardhshme”, tha Danilov, transmeton Telegrafi.
Ai shtoi se ato vende që ndihmojnë luftën e Ukrainës, kanë filluar të dërgojnë ndihmën më të madhe të mundshme.
Gjithashtu tha se ushtria ukrainase po përgatitet për të gjitha eventualitetet, dhe këtë herë ka dukshëm më shumë mbështetje nga partnerët perëndimorë si Britania e Madhe sesa 12 muaj më parë.
Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, shtoi se pret që rreth gjysma e më shumë se 320 mijë trupave që Rusia mobilizoi shtatorin e kaluar, të përfshihen në valën e dytë. /Telegrafi