Vrasja e policit në veri, avokati serb Stojkoviq: Sulmi nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e Aleksandar Vuçiqit dhe BIA-s për FSB-në ruse
Avokati nga Beogradi, Çedomir Stojkoviq ka reaguar pas vrasjes së një zyrtari policor dhe plagosjen e një tjetri në veri të Kosovës.
Stojkoviq në shkrim në rrjetin social X, ka theksuar se ky sulm nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e Aleksandar Vuçiqit për Shërbimin e Brendshëm rus (FSB).
“Ky sulm nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e Aleksandar Vuçiqit për FSB-në ruse. Ky sulm nuk do të ishte i mundur nëse shërbimet e inteligjencës dhe kundërzbulimit të Serbisë nuk do të ishin vendosur nën ndikimin dominues të Federatës Ruse. Kujtojmë se BIA drejtohet nga një rus”, ka shkruar Stojkoviq.
“Vetëm tre muaj më parë, operacionet psikologjike dhe inteligjente të FSB-së çuan në një sulm ndaj ushtarëve të NATO-s (KFOR) në veri të Kosovës, i cili rezultoi me amputimin e këmbëve prej tre prej tyre”, vijon reagimi.
Ai ka shtuar se shërbimi inteligjent rus ka punuar për një kohë shumë të gjatë për të nxitur konflikt në Ballkan.
“Sonte një grup huliganësh në veri të Kosovës hapën zjarr ndaj policisë së Kosovës, duke vrarë një polic të Kosovës dhe plagosur një tjetër. Sonte në kufirin me Kosovën është dërguar një kolonë me autoblinda të Ushtrisë serbe. Shërbimi inteligjent i Federatës Ruse ka punuar për këtë për një kohë shumë të gjatë për të nxitur konfliktin në Ballkan. Plani është i qartë: udhëzoni dhe nxisni serbët që të sulmojnë policinë e Kosovës dhe pastaj të krijoni një konflikt në të cilin Serbia do të përfshihej drejtpërdrejt”, ka shtuar ai.