A mund të ndalet Vladimir Putin?

Carnegie Europe

Vendimi për të mobilizuar rezervistët, dhe trazirat e brendshme që e pasuan atë, tregojnë dobësimin e ndjeshëm të pozitave të Vladimir Putin. Ekspertë dhe analistë mendojnë se sanksionet perëndimore, si dhe mbështetja ushtarake për Ukrainën, janë çelësi kryesor për të parandaluar një fitore të Rusisë në këtë luftë.

John R.Deni, profesor i kërkimit në Institutin e Studimeve Strategjike të Kolegjit të Luftës së Ushtrisë Amerikane:

Që Ukraina ta ndalë presidentin rus Vladimir Putin, ajo duhet së pari të ruajë dy qendrat e saj të gravitetit. E para është vullneti i Ukrainës për të rezistuar. Deri më sot, ai duket shumë i fortë, por do të vazhdojë të varet kryesisht nga lidershipi dhe mbijetesa e presidentit Volodymyr Zelensky.

E dyta është ndihma perëndimore, dhe këtu ka më shumë punë për të bërë. Veçanërisht sepse kërkesat e Ukrainës për materiale ushtarake mbeten të mëdha, dhe lojtarët më të mëdhenj në Perëndimit nuk po japin aq sa kanë vërtet mundësi, dhe nevojat e Kievit do të evoluojnë në varësi të ecurisë së luftës.

Ndërkohë, Ukraina duhet të kapërcejë avantazhet numerike të Rusisë në pajisje dhe trupa. Kjo do të jetë më e lehtë nëse Ukraina mbrohet, por më e vështirë nëse Kievi përpiqet të rimarrë të gjithë territorin e humbur që nga viti 2014, përfshirë Krimenë. Sa i përket vullnetit të ushtrisë ruse, mbetet për t’u parë nëse është më i madh se ai i Putinit.

Duke supozuar se nuk është kështu, shpresa më e mirë që ka Ukraina për ta ndalur Putinin, mund të jetë përballja fillestare me rekrutët e rinj rusë, dhe pritja e degradimit të këtyre njësive si pasojë e grindjeve të brendshme, moshën e thyer të Putin (mbush 70-vjeç javën e ardhshme) apo dinamika të tjera si “zgjedhjet” presidenciale të marsit 2024.

François Heisbourg, këshilltar mbi çështjet evropiane në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS)

Pavarësisht largimit nga vendi të qindra mijëra të rinjve, precedentët historikë nuk janë inkurajues kur flitet për parandalimin e suksesit të një mobilizimi të detyruar, madje edhe në një demokraci. Gjatë luftës së SHBA-së në Vietnam, rreth 600.000 rekrutë nuk iu thirrjes nga viti 1964 deri në 1973-in.

Por kjo nuk e pengoi ushtrinë amerikane të siguronte numrin e ushtarëve që ajo e konsideronte të nevojshme. Fletëthirrjet e rritën mungesën e popullaritetin të luftës, duke kontribuar me kalimin e kohës në përfundimin e saj në vitin 1973. Por vetëm pasi vdiqën më shumë se 58.000 amerikanë, nga të cilët më shumë se 1/3 kishin shkuar pa dëshirë.

E njëjta gjë ndodhi me mobilizimin e pjesshëm të Francës për të përshkallëzuar luftën në Algjeri nga viti 1956 e tutje. Zgjatja e kohës së mobilizimit ishte e suksesshme, duke rritur ushtrinë franceze në Algjeri me afro 330.000 trupa, pra nga 114.000 në 442.000.

Nga rreth 23.000 ushtarë francezë të vrarë në aksion, 51 për qind ishin rekrutë. Edhe në këtë rast, mobilizimi i detyruar kontribuoi politikisht në mungesën e popullaritetit të luftës. Por ushtrisë nuk i mungonin trupat që ajo i shihte si të nevojshme. Dhe lufta vazhdoi edhe 6 vjet të tjera.

Andrei Kolesnikov, bashkëpunëtor në think-tankun “Carnegie Endowment for International Peace”

Ngjarjet tregojnë se një Putin i bllokuar në një “cep të ringut”, po bëhet thuajse i pamundur që të ndalet. As fakti që ai rrezikon të humbasë partnerët e tij të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura (CIS), të cilët kanë filluar ta kenë frikë – për shembull, Kazakistani po ecën në një rrugë të veçantë – dhe se nuk do të jetë në gjendje të bëhet kuratori i një perandorie të madhe imagjinare Euroaziatike, nuk po arrin që ta ndalë atë.

Këtu, ashtu si në sfera të tjera, ai arrin synime që janë drejtpërdrejt të kundërta me ato të synuara më herët. As kritikat e hapur të Kinës, Indisë dhe Turqisë për luftën nuk po e ndalin nga vazhdimi i luftës në Ukrainë. Putin ka shkelur në mënyrë të vrazhdë kontratën e pashkruar sociale të viteve të fundit:qytetarët nuk i kushtojnë vëmendje korrupsionit, vjedhjeve dhe luftërave që bën elita e Putinit, ndërsa në këmbim ajo i lejon qytetarët të kenë një jetë komode.

Shkalla e pakënaqësisë së brendshme, është ende e vështirë të matet. Por është e qartë se protestat nuk janë më të opozitës dhe shoqërisë civile, por të bazës sociale që e mbushte deri sot regjimit. Pra aleatët taktikë të Putinit jashtë vendit dhe vetë populli rus, që po përjeton një tronditje të paprecedentë, mund të përpiqen që ta ndalin diktatorin.

Linas Linkevičius, ish-Ministër i Jashtëm dhe i Mbrojtjes i Lituanisë:

Vetë Putini nuk do që të ndalet, por ai mund dhe duhet të ndalet. Atij nuk i ka mbetur asnjë argument bindës, por vetëm kërcënimet dhe shantazhet. Ai do të kërcënojë dhe luajë bllofin derisa dikush të ketë frikë. Kur bllofi nuk funksionon, do të dalë me një bllof tjetër. Ky është thelbi i taktikave të tij “negociuese”.

Mobilizimi do të jetë po aq “i suksesshëm” sa edhe “operacioni special”. Ai nuk do t’i

shtojë asnjë cilësi ushtrisë ruse, por vetëm sa do të shtojë viktimat. Kjo lëvizje ka shkaktuar tashmë një tension të madh social, që mund të kthehet në një krizë politike. Marrëdhëniet e Putin me udhëheqjen ushtarake po ndërlikohen dhe vetëm sa do të përkeqësohen.

Kjo sepse Kremlini ndërhyn drejtpërdrejt në komandimin e operacioneve ushtarake, ndërsa fajtor për dështimet cilësohet gjithmonë ushtria. Kushtet për largimin e Putinit përmes rebelimit të brendshëm vetëm sa do të forcohen. Por kjo nuk duhet ta ndryshojë qasjen dhe veprimet e Perëndimit.

Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë, dhe me më shumë volum:t’i sigurojmë Ukrainës armë më të mira, më të rënda, tanke por edhe avionë. Po ashtu t’i ofrojmë një mbështetje të qëndrueshme financiare, dhe t’i forcojmë më tej sanksionet ekonomike kundër Rusisë.

Paul Stronski, bashkëpunëtor në programin e Rusisë dhe Euroazisë në “Carnegie Endowment for International Peace”

Nëse ekziston dikush që mund të ndalë Putinin, ai do të jetë populli ose elita ruse. Urdhri i mobilizimit i Putin ishte një llogaritje e gabuar që shkaktoi protesta. Ai rikonfirmoi dobësinë ushtarake dhe gjeopolitike të Rusisë. Por deri tani nuk ka të dhëna se kundërshtimet përbëjnë një sfidë serioze për regjimin, apo që elita është gati të lëvizë kundër shefit të tyre.

Përpara njoftimit, rusët ishin të distancuar nga lufta dhe interesi për të po zbehej, ndonëse ata të ekstremit të djathtë kërkuan ndryshime të taktikave. Por mobilizimi i ndërgjegjësoi rusët mbi tmerret e luftës. Dërgimi me nxitim në fushën e betejës i trupave shtesë – disa direkt nga aulat universitare apo nga vendi i punës – nuk do ta ndryshojë së shpejti trajektoren e luftës, por ka aktivizuar shqetësimet e rusëve të zakonshëm mbi sigurinë e tyre dhe të afërmve të tyre.

my-portfolio

Lufta tani është e prekshme, duke shkaktuar protesta, dhunë dhe largim të shumë të rinjve jashtë vendit. Por pikëpamjet private të elitave ruse, mbeten ende të panjohura. Ata do të jenë çelësi për të vendosur mbi të ardhmen e vendit dhe vendin e Putinit në të. Me një pasiguri të papritur në shtëpi dhe në Ukrainë, fati i Rusisë është tani i paqartë. Por një regjim i pasigurt dhe një Putin i pasigurt mbetet shumë i rrezikshëm.

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

CATEGORIES
Share This