Arkitekti Dr. Kushtrim Riza, autor i projekteve me renome në Austri

Arkitekti Dr. Kushtrim Riza, autor i projekteve me renome në Austri

Arkitekti Dr. Kushtrim Riza, me zyrën e tij “Dr. RIZA Architekten ZT GmbH”, është MSc projektues dhe menaxhues i shumë projekteve me renome në Austri

Kushtrim Riza, arkitekti shqiptar me prejardhje nga komuna e Sharrit në Kosovë, ka ndjekur një rrugë të suksesshme në fushën e arkitekturës në Austri. Fillimisht, ai na flet për prejardhjen e tij dhe rrethanat që çuan familjen e tij drejt emigracionit si dhe për sfidat e vështirësitë si arkitekt në Vjenë. Që nga fillimi i emigracionit në vitin 2005 Riza ka qenë i përfshirë në jetën kulturore dhe shoqërore të Austri, duke shërbyer si një shembull i arritjeve për diasporën shqiptare.

Gjyshërit e Kushtrim Rizës kishin emigruar nga Dragashi në Austri qysh në vitet `70, kjo për shkak të kushteve dhe rrethanave të vështira ato kohë. Kushtrimi për albinfo.at ka treguar se ai pas mbarimit të gjimnazit në Dragash, ishte përkushtuar maksimalisht për t´u përgatitur për të ardhmen e tij. Ai kishte vendosur që studimet t`i vazhdonte në Universitetin Teknik të Vjenës, në drejtimin  e Arkitekturës.

Studimet në Vjenë, eksperienca 15-vjeçare në arkitekturë

Kushtrim Riza ka përfunduar jo vetëm nivelin master, por edhe doktoratën në arkitekturë. Për shkak të përkushtimit të tij në shkollim të lartë, ai kishte përfunduar të dy nivelet në një afat prej pesë vjetësh.

Ajo që e veçoi absolvimin e tij, ishte tema e diplomës në master, për të cilin kishte propozuar një projekt për Kalanë e Prizrenit, në Kosovë.

“Për temën e diplomimit në master kam propozuar një projekt për Kalanë e Prizrenit, i cili përfshin një objekt të një Qendre Kulturore brenda kësaj kalaje dhe po ashtu hapësira shtesë, të cilat do të përdoreshin për turizëm dhe mbrojtjen e trashëgimisë së qytetit historik. Si pjesë qendrore e këtij projekti ka qenë edhe një lift ose gondolë panoramike (Drahtseilbahn), i cili do të lidhte hapësirat e jashtme të Lidhjes së Prizrenit me kalanë e qytetit, duke u bërë kështu një atraksion kryesor për vetë qytetin e Prizrenit”, sqaron ai.

Kurse, për temën e doktoratës ai kishte hulumtuar se si shtetet në tranzicion duhet të implementonin standardet austriake të arkitekturës dhe ndërtimit.

Kushtrimi gjatë karrierës së tij ka punuar për mbi 15 vjet në zyra të njohura dhe me renome në Vjenë dhe Austri. Ai ka projektuar dhe menaxhuar projekte të kategorive të ndryshme, duke filluar nga vila luksoze, ndërtesa banesore, hotele, objekte të komunës dhe shumë projekte të tjera.

“Nga këto, mund të veçoj punën në zyrën e Arkitekturës Halbritter&Hillerbrand dhe projektet “Gemeindeamt Kobersdorf” si dhe hotelin “Seehaus Weiden” pranë Liqenit “Neusidler See” në zonën e mbrojtur të UNESCO”, shton ai.

CATEGORIES
Share This