Berisha mbështet grevën e profesorëve: Në Kosovë, pagat dy herë më të larta
Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen për grevën e profesorëve universitarë për rritje pagash.
Ai tha se e njëjta duhet mbështetur nga studentët dhe qytetarët, pasi sipas tij Qeveria Rama ka para, por ato po shkojnë, siç tha për aferat e inceneratorëve.
“Sot, universitetet e vendit ishin në grevë. Unë dua të përshëndes përzemërsisht të gjithë ata pedagogë, punonjësve të universiteteve dhe studentë që u përgjigjën thirrjes së sindikatave të tyre për të nisur një grevë të fuqishme e cila ka objektiv kryesor realizimin e kërkesave të ligjshme të sindikatës së universiteteve. Pas qëndrimit cinik, arrogant, të papërgjegjshëm të qeverisë, sindikata vendosi të thërrasë për bojkot të mësimeve në universitetet e vendit. Ky vendim është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili synon të parandalojë shuarjen e universiteteve tona”, tha ai.
Në konferencë për medie të hënën, ish-kryeministri tha se pagat e profesorëve në Kosovë janë dy herë më të larta se në Shqipëri.
“Pedagogët, punonjësit, studentët e universiteteve nuk po kërkojnë asgjë tjetër veçse ato që sot gëzojnë kolegët e tyre të Universitetit të Prishtinës. Sot në Universitetin e Prishtinës, pagat janë afërsisht dy herë më të larta se sa në Universitetin e Tiranës. Qeveria e Kosovës për shkak të rritjes së çmimeve vendosi të japë për çdo student 100 euro në mënyrë që ata të mund të përballojnë rritjen e çmimeve të transporteve dhe të qirave. Gjithashtu Universiteti i Prishtinës ka një buxhet 6-8 herë më të lartë se ai i Tiranës për kërkimet shkencore. Qeveria e Kosovës dhe shteti i Kosovës ka një buxhet qartësisht më të ulët se Shqipëria, por në Shqipëri qindra milionë euro vidhen për tre djegësa të cilët de facto nuk ekzistojnë”, shtoi ai.