Blinken i kërkon Vuçiqit marrëveshje të shpejtë me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se sot ka zhvilluar bisedë telefonike me Sekretarin e amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili i ka kërkuar presidentit serb sa më shpejt arritjen e marrëveshjes me Kosovën.

Siç thuhet në njoftimin nga kabineti i presidentit serb, Sekretari amerikan e ka informuar Vuçiqin për domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje të shpejtë me Kosovën.

“Tri temat kyçe të bisedës telefonike ishin çështja e Kosovës dhe dëshira e administratës amerikane për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë, pastaj marrëdhëniet e Republikës së Serbisë me Federatën Ruse, si dhe diversifikimi i burimeve energjetike të vendit tonë”, thuhet në njoftimin e kabinetit serb.

Më tej thuhet se “Sekretari i Shtetit Blinken e ka informuar Presidentin Vuçiq për domosdoshmërinë e arritjes së shpejtë të një marrëveshjeje me Prishtinën, kurse presidenti Vuçiq ia ka prezantuar atij pikëpamjet e Republikës së Serbisë”.

Sekretari amerikan Blinken ka zhvilluar bisedë telefonike edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin ka biseduar për nevojën e intensifikimit të dialogut me Serbinë drejt një marrëveshjeje përfundimtare me njohje reciproke.

Kurti, përmes një postimi në Twitter, thotë se Sekretarin amerikan e ka njoftuar edhe për progresin e vazhdueshëm në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të dielën se është optimist që në muajt vijues do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë.

CATEGORIES
Share This