Edi Rama godet Berishën për raportin e Dick Marty-t, thotë se PD e përkrahi atë në vitin 2011 në KiE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është përgjigjur sërish kritikave të ish-kryeministrit Sali Berisha, në lidhje me fjalimin e bërë pak ditë më parë në Këshillin e Evropës.

Rama ka ndarë një fjalim të përfaqësuesit të Partisë Socialiste në KiE në janar të vitit 2011, teksa shkruan se kujtesa e tregon me fakte se kur rezoluta e iniciuar nga Moska u paraqit në asamble, mori votën pro të përfaqësuesit të Partisë Demokratike.

Ai shton se dy përfaqësuesit e tjerë nga Shqipëria, Damian Gjiknuri e Shpëtim Idrizi, kanë votuar kundër asaj rezolute të mbështetur më tej nga raporti famëkeq i Dick Martyt mbi trafikun e organeve njerëzore.

Statusi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

KUJTESA HISTORIKE na e thotë sot me fakte të shkruara, se kur rezoluta e iniciuar nga përfaqësuesit e partisë së Vladimir Putinit dhe e mbështetur më tej nga raporti famëkeq i Dick Marty-t mbi trafikun e organeve njerëzore, u paraqit për votim në Asamblenë e Përgjithshme, ajo fatkeqësisht mori votën pro të përfaqësuesit të Partisë Demokratike në delegacionin shqiptar, ndërsa u kundërshtua nga dy përfaqësuesit e tjerë nga Shqipëria, Damian Gjiknuri e Shpëtim Idrizi.

Ja fjala që përfaqësuesi i Partisë Socialiste në delegacionin e vendit tonë në Këshillin e Europës, Damian Gjiknuri, i drejtoi pa sukses Asamblesë së Përgjithshme:

Ky raport ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve, për shkak të seriozitetit të akuzës, natyrës së krimeve të pretenduara dhe MUNGESËS SË PROVAVE. E kuptojmë se ideja e konspiracionit që rrethoi paaftësinë e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) për të hetuar krimet e pretenduara dhe zbulimi në respekt të një prej lojtarëve kryesorë për të ndjekur krime të tilla, Carla del Ponte, është çka e nxiti këtë Asamble të kërkojë nga Dick Marty përpilimin e një raporti të plotë, të bazuar në prova, si edhe të hedhë dritë mbi çështjet, në vend që të përsërisë akuzat e bëra më parë nga të tjerët.

Fatkeqësisht, na duhet ta pranojmë që ky raport nuk ka as edhe një gjë të re me rëndësi dhe vetëm sa është shtuar ai vetë në numrin e çështjeve politike të rajonit. Nuk ka AS EDHE NJË PROVË dhe në shumë pjesë ka thjesht natyrën e një opinioni politik, po jo të një raporti hetimor.

Raporti është i mbushur me kontradikta që kanë të bëjnë me aktivitetin e supozuar dhe shpërfillës ndaj çdo pune të mëparshme të bërë nga ICTY. Një prej tyre është çështja e dy shtëpive famëkeqe: “Shtëpia e Verdhë”, për të cilën hetimi i ICTY nuk solli asnjë informacion dhe në Fushë-Krujë, ajo shtëpia e famshme ku gjoja merreshin organet. Por e cila, siç edhe citohet në raport, nuk kishte asnjë lidhje me aktivitetet e pretenduara.

Kjo na shtyn të besojmë se raporti është më shumë TRILLIM POLITIK sesa hetim i bazuar në prova dhe kësaj Asambleje nuk i shkon për shtat diçka e tillë. Por pavarësisht nga natyra politike e raportit, duke pasur parasysh rëndësinë e akuzave, ne si delegacion shqiptar kemi paraqitur një sërë pikash, të cilat kërkojnë një riformulim të arsyeshëm të akuzave të nxjerra në Raport.

Mendojmë se thelbi i rezolutës nuk është të bëjë politikë me krimin e pretenduar, por të nxisë bashkëpunimin midis autoriteteve të drejtësisë, për të zbuluar nëse diçka e tillë ka ndodhur realisht. Kështu që le të hetojnë të gjitha vendet, dhe të heqim nga raporti konsiderata politike që njollosin njërën palë, pra SHQIPTARËT DHE UÇK-në.

Prandaj, unë i bëj thirrje Asamblesë të mbështesë ndryshimet e propozuara nga delegacioni shqiptar, të cilat kërkojnë një hetim të duhur të çështjes dhe të shmangë shpalljen fajtore paraprakisht të një organizate të tërë politike, PËR ARSYEN E VETME SE AJO LUFTOI PËR ÇLIRIMIN E NJË POPULLI TË SHTYPUR!

Strasburg, 25 janar 2011

CATEGORIES
Share This