Mbi dy mijë e-mail sekrete të ish-drejtorit të Policisë në Shqipëri janë në duar të hakerave
Pas publikimit të skedës së sistemit TIMS të ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë në Shqipëri Gledis Nano nga hakerat nuk ka më asnjë dyshim se këta të fundit kanë marrë të dhëna nga sistemet e policisë pas sulmeve ndaj tyre.
Por ajo që është edhe më shqetësuese është hakërimi i postës elektronike të ish-drejtorit. Ku në dorë të kujdo janë më shumë se 1400 e-maile hyrëse dhe 1200 dalëse, raporton Top Channel.
Shumica e e-maileve të publikuara nga hakerat e “Homeland Justice” të shkëmbyera mes ish drejtorit të përgjithshëm të policisë Gledis Nano me vartësit, institucione të tjera apo ambasada të vendeve të ndryshme në vendin tonë janë të cilësuara secret, por tashmë janë të publikuara në një grup të hapur në telegram.
Mes morisë së emaileve të publikuara shumica i përkasin drejtorisë së antiterrorist mbi persona me prirje ekstremiste.
Një email i cilësuar secret dhe i klasifikuar për 15 vite ishte ai i dërguar ambasadës së shteteve të bashkuara në lidhje me një sulm terrorist që ishte planifikuar ndaj Ambasadës së republikës së Shqipërisë në Athinë më 25 prill të vitit të kaluar. Në email jepen detaje mbi sulmin me eksploziv të planifikuar nga 4 ekstremistë shqiptarë.
Nën siglën Sekret janë edhe e-maile të përpiluara me imtësi për sulmet ndaj ish kryedemokratit Lulëzim Basha apo kryeministrit të kosovës Albin Kurti.
Email Sekret është dhe ai i shkëmbyer mes Gledis Nanos dhe ambasadorit të Britanisë së Madhe Alastair King Smith ku është bashkëngjitur dhe një dokument ku flitet për për një studim për të rritur sigurinë në Portin e Durrësit.
Në një prej e-maileve të cilësuara sekret shkëmbyera mes Gledis Nanos dhe strukturave të policisë kriminalë gushtin e vitit të kaluar flitet për të shumëkërkuarin Talo Çela. Megjithëse është personi më i kërkuar momentalisht në vend policia ka pasur dijeni se ai është parë më 5 gusht 2021 në një hotel në rrugën e Dibrës dhe ka takuar Ervin Matën një tjetër person me rekorde kriminale i cili sipas informatorit të policisë do ta paguante Talo Çelën për një vrasje.
E-mailet i përkojnë viteve 2021 dhe 2022. Publikimi I këtyre të dhënave secrete kalon kufirin e cënimit të të dhënave personale duke cënuar Sigurinë kombëtare.
Shqipëria ka pësuar dy sulme kibernetike, i pari në 15 korrik ndaj platformës qeveritare e-Albania dhe i dyti më 9 shtator ndaj sistemeve të policisë. Pas këtyre sulmeve dyshohet se fshihet shteti i Iranit. /tch