Mediat Kroate: “Vuçiç do ta detyrojë Brnabiç-in t’i hajë zhabat e mëdha të Kosovës”

Pas vizitës së Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, në Kosovë të hënën e 5 shtatorit, media kroate nuk ka hezituar ta “thumbojë” atë dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Madje, ata kanë përdorur një metafor interesante për të shpjeguar rolin e Bërnabiç-it në raport me Kosovën.

“Presidenti i Serbisë është duke e përgatitur Ana Brnabiç-in për gëlltitjen e ‘zhabave të mëdha të Kosovës’”.

Siç shkruan ‘Slobodna Dalmacija’, vizita e saj në Kosovë erdhi me urdhrin e Vuçiç, për ta përgatitur atë sërish për rolin e kryeministres dhe me gjasë, nënshkrimin dokumenteve kryesore të marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që, “Aleksandri i pagabueshëm” siç thuhet në shkrim, “të shmangë përgjegjësinë historike dhe stigmen e tradhtarit”.

Kjo është arsyeja se pse Vuçiç i ka garantuar asaj vetëm gjysmën e mandatit si e para e qeverisë, deri në vitin 2024 kur pozicioni i saj do të rishikohet.

Ana Bërnabiç u detyrua të mbulojë stemën e Serbisë në targat e makinës së saj zyrtare, dhe për këtë media kroate shkruan se “ kjo nënvizoi hendekun midis realitetit dhe kushtetutës serbe, sipas së cilës Kosova është pjesë integrale e Serbisë, dhe deklaratës së vetë Brnabiç-it për gazetarët kosovarë se ajo ndihet si në shtëpinë e saj”.

Sipas medias kroate, Vuçiç njohu de fakto Kosovën kur shfuqizoi institucionet paralele të Serbisë në veri, detyroi serbët e Kosovës të mbajnë zgjedhje të organizuara nga Prishtina, njohu dokumentet personale të Kosovës dhe targat e makinave.

Për median kroate, është e qartë se pa normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, dyert e Evropës do të jenë të mbyllura për Serbinë.

“Atij i mbeti vetëm akti përfundimtar i kapitullimit dhe heqjes dorë nga ‘toka e shenjtë serbe’. Për të cilën padyshim që nuk i intereson, por atij i intereson më shumë që publiku serb të mos e vërë re”, thuhet mes tjerash.

Shënim: Ta hash zhabën është një metaforë amerikane që nënkupton bërjen e gjërave të vështira, apo marrjen e vendimeve të dhimbshme. Fillimisht u bë e njohur nga një thënie e shkrimtarit Mark Twain, i cili shkruante se “nëse gjëja e parë që e bën në mëngjes është ta hash një zhabë, atëherë lirisht mund ta vazhdosh ditën nën kënaqësinë se asgjë tjetër më të vështirë gjatë ditës nuk do të kesh për të bërë”.

CATEGORIES
Share This