Nora mposht xhudisten serbe

Xhudistja që përfaqëson Kosovën, Nora Gjakova ka vazhduar me performancat pozitive edhe në Grand Slam-in e Abu Dhabit, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në këtë Grand Slam marrin pjesë pesë kontinente, 65 shtete dhe 414 garues.

Kampionia olimpike e mundi në çerekfinale xhudisten serbe, Marica Perisic, pasi kjo e fundit mori tri penalizime.

Gjakova kualifikohet në gjysmëfinale, ndërsa aty do të përballet me xhudisten gjeorgjiane, Eteri Liparteliani.

Në raundin e parë, Gjakova mundi xhudisten nga Koreja e Jugut, Yuna Shin, ndërsa në raundin e dytë eliminoi holandezen, Pleuni Cornelisse.

Kujtojmë që Kosova po përfaqësohet nga tre xhudiste në turneun e Abu Dhabit. Përveç Gjakovës do të jetë Laura Fazliu dhe Lorina Kuka.

Fazliu garon në peshën -63 kilogramë dhe ndeshet të shtunën. Ndërsa, Kuka do të garojë në peshën -78 kilogramë dhe do të ndeshet të dielën.

CATEGORIES
Share This