Rama thotë se hekurudha Tiranë-Durrës do të jetë gati në pranverën e vitit 2024

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri me dije se hekurudha Tiranë-Durrës do të jetë gati në pranverën e vitit 2024.

Lajmin e bëri të ditur në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen teksa e vlerësoi këtë të fundit për ndihmën e dhënë.

“Falë qasjes së komisionit ndaj Ballkanit Perëndimor, ne nuk jemi vetëm. Unë dua ta falënderoj presidenten për këtë ndalesë në Tiranë. Kemi qenë së bashku për të parë punimet e hekurudhës së re më në fund në këtë rast jo për shkak të burokracisë së Komisionit, por të Bankës Europiane për Ndërtim e Zhvillim, projekti ka nisur më vonë se parashikimi, në pranverën e 2024 do kemi aksin hekurudhor, Tiranë-Durrës, Tiranë-Rinas-Durrës dhe e kundërta”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se kanë folur edhe për samitin e Bashkimit Evropian me BP që do të zhvillohet më 6 dhjetor.

“Tirana do bëhet skena e një ngjarje politike evropiane e dorës së parë në fund të gjysmës së dytë të vitit. Janë ngjarje që askush nuk mund t’i imagjinonte. E falënderova pasi ka bërë avokatinë e Tiranës”.

Kryekomisionerja evropiane ndodhet në një tur evropian, ku si qëllim kryesor ka përsëritjen e mbështetjes së unionit karshi Ballkanit Perëndimor, si edhe ndihmën për rrugëtimin evropian të të gjashtë vendeve të rajonit.

Më herët, presidentja e KE-së zhvilloi një vizitë në Kosovë, ku përcolli një sërë mesazhesh me rëndësi.

Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, gjatë qëndrimit në Kosovë, ka ri-deklaruar se Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave qysh në vitin 2018.

CATEGORIES
Share This