Realizohet me sukses operacioni kundër trafikut të armeve që kishin destinacion Kosovën, 6 të arrestuar në 3 qarqe në Shqipëri

Një operacion për trafikun e armëve drejt Kosovës është zhvilluar në 3 qarqe në Shqipëri duke çuar në pranga 6 persona.

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Rrugëtimi”.

Operacioni, i shtrirë në 3 qarqe, Kukës, Durrës dhe Dibër.

Sekuestrohen armë zjarri, municion luftarak dhe shuma parash.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit apo të mbajtjes së tyre pa leje, pas një hetimi disamujor, për një grup shtetasish që trafikonin armë zjarri drejt Kosovës, u bë i mundur finalizimi i operacionit policor të koduar “Rrugëtimi”.

Në kuadër të këtij operacioni të shtrirë në 3 qarqe, Kukës, Durrës dhe Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-Rr. S., 28 vjeç, banues në Dibër; B. SH., 24 vjeç, banues në Bulqizë; B. N., 33 vjeç, banues në Durrës; U. H., 27 vjeç, banues në Dibër; H. H., 59 vjeç, banues në Durrës, dhe K. B., 61 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim.

Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në ambientet e jashtme të një pike karburanti, me 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë tip “Glock”, sasi municioni luftarak, si dhe me shuma prej 222.000 lekësh dhe 710 eurosh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në veprimtarinë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit drejt Kosovës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.

CATEGORIES
Share This