Rekomandim për librin The Crucible of Islam, nga G.W. Bowersock

Shkruan: Sead Zimeri

Rekomandim për librin The Crucible of Islam, nga G.W. Bowersock.

Dua t’u rekomandoj një libër të shkëlqyeshëm lexuesve për shfaqjen e hershme të Islamit: The Crucible of Islam, nga G.W. Bowersock (Harvard University Press, 2017). Glen W. Bowersock është profesor emeritus i historisë së lashtë në Institutin për Studime të Avancuara në Princeton. Si historian i antikitetit të vonë, ai njihet për vënien në fokus të ndërlidhjeve të shoqërive antike që shpesh janë parë të izoluara. Punimet e tij janë të famshme për ekspertizën e tyre materiale dhe teknike të integruara me mjeshtëri nga fusha të ndryshme disiplinore. Bowersock, në shumë libra të mëparshëm, ka folur për Islamin e hershëm. Në disa detaje ai merret me Islamin në Ligjëratat e tij të vitit 2011 të mbajtura në kujtim të Menahem Stern në Jerusalem, botuar si libër më pas me titull Empires in Collision in Late Antiquity (Brandeis University Press, 2012).

Unë i kam rekomanduar një shtëpie botuese që ta sjellë librin në shqip. Megjithatë, ata që dinë anglisht dhe nuk duan të presin një përkthim në shqip, mund ta lexojnë atë drejtpërdrejt në anglisht, veçanërisht nëse jeni të interesuar për origjinën dhe zhvilimin e Islamit në antikitetin e vonë.

Pse e rekomandoj këtë libër? Kemi shumë libra të shkruar nga autorë shqiptarë ose të përkthyera nga arabishtja, turqishtja dhe boshnjakishtja për shfaqjen e Islamit në gadishullin arabik. Por këta libra zakonisht janë të zhytur në mitologji, histori transhendente dhe mrekullira të ndryshme dhe përdorin një qasje krejtësisht johistorike ndaj Islamit. Me fjalë të tjera, këto libra flasin për një fenomen historik në mënyrë johistorike; ato nuk janë kryesisht historike, pasi nuk i qasen Islamit si një realitet historik që ndodh në skenë botërore-historike dhe politike. Ndaj edhe japin një pamje të shtrembëruar të shfaqjes dhe përhapjes së Islamit.

Nuk do të doja të përmendja ndonjë libër në veçanti, por merrni ndonjërin prej tyre dhe do t’i gjeni njësoj: duke rrëfyer dhe ritreguar histori nga biografia e Profetit sikur të ishin shpalosur në një skenë hyjnore, jo në terren historik. Janë këto defekte që Bowersock i përmirëson pa bërë kështu një gjykim në lidhje me integritetin e origjinës hyjnore të Islamit.

Në anglisht, ka disa libra të mirë për këtë, dhe studiuesi i ndjerë algjeriano-francez Muhammed Arkoun ka eksploruar tashmë disa tema të Islamit të hershëm historikisht. Një studiues mysliman i shquar që i është qasur historikisht çështjes është Aziz Al-Azmeh në librin e tij gjurmëlënës, The Emergence of Islam in Late Antiquity (Cambridge University Press, 2014). Libri i Azmeh është i jashtëzakonshëm, por i paarritshëm për lexuesit laikë, pasi është shkruar në zhargon akademik shumë kompleks. Çfarë e bën The Crucible of Islam të dallohet janë veçoritë e mëposhtme:

1. Ai e vendos Islamin në kontekstin e politikës dhe forcave globale të kohës. Dy perandori në atë kohë luftuan për hegjemoni në rajonin e Hixhazit: Perandoria Persiane dhe Perandoria Bizantine. Për të shpjeguar shfaqjen e Islamit, është e nevojshme të merren parasysh përpjekjet, intrigat dhe konfliktet politike mes këtyre dy perandorive për ta dominuar dhe mbikqyrur rajonin e Hixhazit. Libri e realizon shkëlqyeshëm këtë arritje. Ju e kuptoni pse Islami mori formën që ka, pse profeti dërgoi emigrantët e tij të parë në Etiopi, çfarë ngjarje politike të rëndësishme në nivel tē perandorive ndodhën para se të lindte profeti, dinamika e betejave për pushtet në Mekë dhe, më e rëndësishmja, që nuk mund ta kuptoja kurrë siç duhet para se të lexoja librin, pse Ensarët, qytetarët e Medinës, e ftojnë profetin të shpërngulet në Medine. Çfarë mençurie politike kishte që e bëri të nevojshme një lëvizje të tillë dhe kush qëndroi pas saj?

Ai shpjegon gjithashtu dinamikën e brendshme ndërmjet muslimanëve dhe hebrenjve në Medine, si filloi konflikti dhe zgjerimin e shpejtë të Islamit. E gjithë kjo është e ankoruar në dëshmi historike, duke e bërë interpretimin e Bowersock shumë të besueshëm dhe interesant. Ky është virtyti i tij më i madh.

2. Edhe pse libri presupozon njohuri të gjera historike, ai është shkruar në një stil analitik, duke e bërë të aksesueshëm për lexuesin që nuk ka një formim akademik. Ai mbështetet në burimet historike dhe arkeologjike, por ato përdoren në një mënyrë kaq të mjeshtërishme që ta bëjnë të qartë përmbajtjen.

3. Nuk zhytet në klishe dhe denigrime orientaliste që i gjenim te studiuesit orientalistë të Islamit. Nuk ka asnjë aluzion për ndonjë paragjykim ndaj kësaj apo asaj feje, por êshtë një studim shkencor i paanshëm i shfaqjes së Islamit.

CATEGORIES
Share This