“Si fitoi Vuçiç në Mal të Zi përmes Abazoviç-it”

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale që u mbajtën të dielën e 23 tetorit në 14 qytete të Malit të Zi, nxjerrin fituese forcat pro-serbe dhe pro-ruse, përkatësisht “Fronti Demokratik”, “Demokratët” dhe “Evropa Tani”.

Nga ana tjetër, koalicioni qytetar, pro-perëndimor i mbledhur rreth Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) e udhëhequr nga Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka pësuar humbje.

Në një artikull të së përditshmes serbe “Danas”, thuhet se “ura mbi të cilën kaluan ‘çetnikët’” ishte Lëvizja Qytetare URA e kryeministrit me mandat teknik, Dritan Abazoviç.

“URA ishte kali trojan i ‘Serbisë së Madhe’, i futur me mjeshtëri në elektoratin pro-Malit të Zi dhe i orientuar drejt qytetarëve, të zhgënjyer me DPS-në, me qëllim që të mashtronte ata pak përqind në mënyrë që serbët e mëdhenj, pro Putinit, forcat klero-fashiste, antiperëndimore, anti-BE, anti-NATO, ta marrin pushtetin”.

Ndonëse, Abazoviç pohonte se nacionalizmi serb është i rrënjosur në Mal të Zi, ai deklaronte se kjo frymë nuk la lindur me ardhjen e tij në pushtet.

“Detyra kryesore e Abazoviç-it ishte shpërbërja dhe jo reformimi i Malit të Zi. Ai festoi natën tjetër për shkak të rezultateve të koalicionit qytetar të mbledhur rreth DPS-së”.

“Publiku në Serbi, i udhëhequr nga besimi krejtësisht i gabuar se rënia e Gjukanoviç-it do të thotë rënie e (Aleksandër) Vuçiç-it, kontribuoi në çdo mënyrë të mundshme në formimin e një qëndrimi negativ dhe mjaft urrejtës ndaj Malit të Zi dhe kombit malazez”.

Mirëpo, siç shkruan “Danas”, rezultatet e këtyre zgjedhjeve nuk duhet të jenë befasuese pasi që “gjatë dy viteve të mëparshme gjithçka që është në karakterin e Malit të Zi u shkatërrua dhe u shemb me kujdes, duke filluar nga identiteti i tij, multikulturalizmi, trashëgimi antifashiste, orientim drejt BE-së”.

Ndryshe, DPS-ja do të udhëheqë me Tivarin, Plavën dhe Bijelo Polje, ndërsa forcat politike që fituan pushtetin në nivel shtetëror më 30 gusht 2020, fituan në Zeta, Zhabljak, Pljevlja, Danilovgrad, Kolashin, Budva dhe Tivat.

Kurse, në Rozhaje, partia boshnjake ka arritur një fitore absolute./Albanianpost.com

CATEGORIES
Share This