The Times shkruan se Putin ka në plan të testojë armët bërthamore në Ukrainë
Gazeta britanike “The Times” shkruan se presidenti rus Vladimir Putin po dërgon një “tren ushtarak bërthamor” në frontin në Ukrainë për shkak të frikës së një përshkallëzimi të luftimeve që nuk kanë shkuar mirë për ta kohët e fundit.
Sipas burimeve të The Times, Putini po përgatitet të testojë armë bërthamore të shkatërrimit në masë në kufijtë e Ukrainës. NATO i ka paralajmëruar anëtarët e saj për veprim të presidentit rus.
“Kremlini ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për përshkallëzim të konsiderueshëm pasi Rusia po humbet terren në fushën e betejës. Frika për aludimet e mëparshme të Putinit se ai mund të përdorte taktika të tilla u rritën dje nga pretendimet se një tren i drejtuar nga një divizion sekret bërthamor ishte nisur për në Ukrainë”, shkruan Times.
Në Rusinë qendrore, është fotografuar një kolonë ushtarake automjetesh që besohet se po shkonte drejt Ukrainës, që i përkasin njësisë që menaxhon objektet qendrore të magazinimit të armëve bërthamore.
Konrad Muzyka, një analist i mbrojtjes me bazë në Poloni, ka thënë se treni ishte i lidhur me Drejtorinë kryesore të 12-të të Ministrisë së Mbrojtjes ruse, e cila është përgjegjëse për “municionet bërthamore, ruajtjen, mirëmbajtjen, transportimin dhe dërgimin e tyre në njësi”.
Kjo mund të nënkuptojë se armët bërthamore po dërgohen në front, përdoren për stërvitje, ose mund të jetë një përpjekje e Putinit për të kërcënuar dhe frikësuar Perëndimin. Edhe pse Kremlini pretendon se fillimi i një lufte bërthamore është i papranueshëm, Putin ka thënë para se të aneksonte katër territore ukrainase se çdo sulm ndaj Rusisë do të fillonte një luftë bërthamore. Situata është edhe më e tensionuar tani.