Vuçiç nga Brukseli deklaron se e pati një ditë të vështirë dhe se nuk mund të thotë se përfundoi me sukses

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është lajmëruar nga Brukseli, pas takimit 5 orësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përmes një videoje në profilin e tij në Instagram.

Ai tha se pati ditë të vështirë në Bruksel dhe e ka të pamundur të thotë se ishte një ditë e suksesshme.

“Të dashur qytetarë të Serbisë, një ditë e vështirë është pas nesh, ishte një ditë e vështirë për të gjithë qytetarët dhe për mbarë vendin”, deklaron Vuçiç.

“Nuk mund të them se ka përfunduar me sukses”.

Vuçiç ka shtuar se nuk mund të flas shumë, porse është treguar pësimit që ditët në vazhdim do sjellin ndonjë zgjidhje.

“Po përmbahem nga çdo koment tjetër, sepse shpresoj dhe dua të besoj se është e mundur që me ndonjë mrekulli të arrijmë një zgjidhje kompromisi në ditët në vijim. Kjo është arsyeja pse unë do të vazhdoj të luftoj për paqen dhe stabilitetin”.

Një fjalim të gjatë për atë se çfarë ndodhi në Bruksel, Vuçiç pohoi se e ka ndërmend ta bëjë brenda 48 orësh, derisa ka ftuar në takim për të dielën përfaqësuesit serbë nga Kosova.

Në anën e Kosovës, Kurti nuk ka folur vetë, por Qeveria ka lëshuar një komunikatë për media.

“Sot kishte dy tema në agjendë”, thuhet në komunikatë, duke elaboruar më pas secilën prej tyre dhe qëndrimet të cilat i ka mbajtur Kurti.

E para, konstatohet në komunikatën e Qeverisë për media, “ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes”.

“Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë”.

Ndërsa, tema e dytë “ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”.

Në komunikatë theksohet edhe se ky takim është dashur të mbahej me 19 korrik.

“Mirëpo, ai u pat shtyrë për muajin gusht me kërkesën e palës tjetër, gjersa Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pat shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje”.

CATEGORIES
Share This