I martuar me tri gra dhe me 150 mijë euro borxhe! Të pathënat e intrigës familjare që çuan në ngjarjen e rëndë në Tiranë
I ngjan një intrige të gjallë brenda familjes historia që çoi në vrasjen e çiftit Nora dhe Alban Muskurti pasditen e djeshme nga Arsen (Hamza) Muskurti.
Vëllezërit Muskurti kishin hapur një biznes bashkë disa vite më parë, por për arsye se nuk merreshin vesh me ndarjen e të ardhurave kanë vendosur që të vijnë rrugëtimin e biznesit veç e veç.
Kështu, Nora dhe Alban Muskurti vijuan me kompaninë e udhëtimeve “NOOR”, e specializuar për dërgimin e besimtarëve myslimanë në Meke dhe Medinë, ndërkohë që pas Arsen (Hamza) Muskurti hapi një kompani udhëtimi të veten duke bërë të njëjtën gjë.
Krahas kësaj, Arsen (Hamza) Muskurti hapi edhe një dyqan për shitjen e produkteve kozmetike përballë në “Rrugën e Kavajës”.
Të gjitha bizneset e vëllezërve ishin përballë xhamisë “Dine Hoxha” në Tiranë dhe rezulton sipas të dhënave të policisë dhe dëshmive të besimtarëve se ata ishin frekuentues të rregullt të saj, ku shkonin dhe faleshin.
Megjithatë, besimi në Zot nuk duket se u ka zbutur zemrat vëllezërve, të cilët vazhdimisht kishin fërkime mes tyre.
Kulmi arriti kur në rrjetet sociale u hapen disa profile në rrjetin social Facebook, të cilat hidhnin akuza të forta në lidhje me Arsen Muskurtin për marrëdhenie jashtëmartesore me gra të tjera krahas bashkëshortes së ligjshme. Hamza Muskurti akuzonte kunatën e tij, Nora për hapjen e këtij profili.
Nga ana tjetër, sipas ABC News, Arsen Muskurti i arsyetonte këto akuza me argumentin se ai ishte i martuar me ato gra dhe në këtë marrëdhënie nuk kishte asgjë problematike për aq kohë sa çdo gjë ishte miratuar edhe nga bashkëshortja e ligjshme dhe kishin bërë “nikahun” (riti i martesës sipas myslimanëve).
Martesa e burrave me më shumë se një grua është një fenomen i përhapur sëfundmi te besimtarët e xhamisë “Dine Hoxha” në Tiranë, gjë e cila bëhet me pretendimin se ka një argument fetar mbi këtë veprim.
Megjithatë, shumica e besimtarëve të tjerë nuk e miratojnë diçka të tillë duke e cilësuar si fenomen, i cili nuk përputhet me realitetin social në vendin tonë, ndryshe nga vendet arabe.
Kështu, krahas konfliktit për biznesin, marrëdhenia mes Arsenit dhe familjes së vëllait të tij Albanit u zhvillua prej vitesh në këtë vorbull akuzash, fyerjesh publike dhe konfliktesh edhe me personazhe të tjerë, pjesë e “xhematit” të kësaj xhamie.
Gjithçka kulmoi dje, teksa Arsen Muskurti mori armën që e mbante në ambientet e biznesit të tij dhe shkoi duke vrarë me gjakftohtësi vëllanë dhe kunatën e tij brenda ambienteve të “NOOR Travel”, ndërkohë që më pas fiksohet nga kamerat e sigurisë që largohet me qetësi prej andej.
Arsen Muskurti u arrestua pak orë më pas nga policia duke lënë pas shumë pikëpyetje në lidhje me rrethanat që çuan deri në këtë krim monstruoz si edhe realitetet paralele në grupimet e caktuara shoqërore ku zhvillohet problematika kaq të mprehta që çojnë deri në drama të tilla.
150 mijë euro borxh
Pa shprehur pendesë se vrau vëllain dhe kunatën, Arsen Muskurti pranoi autorësinë e krimit të dyfishtë. Teksa u mor në pyetje nga grupi hetimor, 38-vjeçari deklaroi se konfliktet e tyre kanë qenë të hershme dhe të shpeshta. Pikënisja ishin debatet për shkak të pronësisë së agjencisë së udhëtimit, e cila drejtohej nga dy viktimat Dritan Muskurti, i njohur edhe me emrin Alban, 44 vjeç dhe bashkëshortja e tij Nora, 33 vjeçe.
Më tej, ai i sqaroi hetuesve se konfliktet vijuan për çështje nderi. Arsen Muskurti akuzonte vëllain, Dritanin se bashkë me të shoqen kishin hapur adresa false në emër të tij dhe e ofendonin në rrjete sociale. Pikërisht për këtë gjë, 38-vjeçari disa herë kishte bërë kallëzim në polici.
Dy ditë më parë, mes tyre ishte shënuar një tjetër konflikt i ashpër për parkimin e makinës. 38-vjeçari tashmë do të hetohet për dy vepra penale, “Vrasja në rrethana cilësuese” kundër dy ose më shumë personave dhe armëmbajtje pa leje.
Pasi vrau vëllain dhe kunatën, 38-vjeçari Arsen Muskurti armën e krimit e fshehu në kasafortën e këtij dyqani, i ndodhur vetëm 10 metra larg agjencisë së udhëtimeve në oronësi të dy viktimave. Arma tip pistoletë u sekuestrua nga policia, pasi bashkëshortja e autorit i tregoi kodin e kasafortës grupit hetimor.
ABC mëson se pak orë para se kryente vrasjen, Arsen Muskurti kishte marrë nga Gjykata e Tiranës fletëthirrje për të dëshmuar. Kjo pasi ka pasur një kallëzim nga i vëllai të cilin e vrau. Dritan Muskurti kishte kërkuar urdhër mbrojtje ndaj Arsen Muskurtit, dhe kjo kërkesë do të shqyrtohej pas një jave.
Edhe vitin e kaluar, Dritani kishte kërkuar urdhër mbrojtje që i ishte refuzuar, ndërsa banorë të zonës kishin njoftuar disa herë policinë për 38-vjeçarin për shkak të debateve që kishin me të.
Në sajë të hetimeve të kryera, mësohet se Arsen Muskurti i kishte të vëllait borxh një shumë prej 150 mijë eurosh. Për këtë gjë, viktima kishte hapur proces gjyqësor. Arsen Muskurti kishte kërcënuar edhe avokaten e të vëllait për shumën e parave që i kërkohej. Si besimtar mysliman, 38-vjeçari mësohet se kishte 3 gra.
Dritan Muskurti u qëllua me një plumb në fytyrë ndërsa bashkëshortja e tij Nora kishte marrë 4 plumba në gjoks. Armën e krimit, Arsen Muskurti nuk pranoi ta tregonte në polici se ku e kishte siguruar.