Ministria e Mbrojtjes tregon se si dhe pse u arrestuan 4 çekët që po fotografonin uzinën e Poliçanit
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar zyrtarisht në lidhje me arrestimin e shtetasve çekë të cilët po filmonin në afërsi të tuneleve në Poliçan.
Ministria e Mbrojtjes, thotë se shtetasit e huaj janë konstatuar mëngjesit të sotëm tek një nga tunelet në Uzinën e Poliçanit.
Pas konstatimit të shtetasve çek, policia ushtarake, ka izoluar hyrjet e tuneleve të cilat janë pothuajse të gjithë komunikues me njëri tjetrin dhe ka arrestuar 4 shtetasit çekë.
Ato janë kapur në një distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit.
Njoftim për media
Rreth orës 08:40 të mëngjesit të sotëm, tek një nga tunelet në Uzinën e Poliçanit, janë konstatuar lëvizje të personave të paidentifikuar.
Menjëherë Policia Ushtarake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë izoluar hyrjet e tuneleve të cilët janë pothuaj se të gjithë komunikues me njëri tjetrin dhe pas kërkimeve kanë ndaluar dy persona me kombësi çeke.
Rreth orës 12:30 në distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit u konstatuan dhe shoqëruan edhe dy shtetase te kombësisë çeke, bashkëjetuese të dy shtetasve të mësipërm.
Personat e mësipërm janë ndaluar dhe aktualisht vazhdojnë procedurat nga autoritetet e sigurisë në vend.