Scholz thotë se investimi në Ukrainë, është investimi në një anëtar të ardhshëm të Bashkimit Evropian
Kancelari gjerman Olaf Scholz, tha se rindërtimi i Ukrainës do të lidhet dhe do të përshtatet me hyrjen e ardhshme të vendit në Bashkimin Evropian.
“Kur të rindërtojmë Ukrainën, do të kryhet në përputhje me qëllimin e hyrjes së Ukrainës në Bashkimin Evropian”, tha kancelari gjerman në hapjen e Forumit Ekonomik gjermano-ukrainas në Berlin, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, infrastruktura e transportit si dhe sektori i transportit duhet të rinovohet, në mënyrë që të mundësojë një lidhje të qetë me infrastrukturën e Bashkimit Evropian. Kjo sipas Scholz do të favorizojë dhe nxit interesim të madh tek investitorët.
“Kush sot investon në Ukrainë, ai person investon në një anëtare të ardhshme të Bashkimit Evropian që do të jetë pjesë e sistemit tonë ligjor dhe të tregut të përbashkët”, shtoi Scholz.
Ai i bëri thirrje qeverisë ukrainase të përmirësojë kushtet për investitorët e huaj, dhe të forcojë sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
E kryeministri ukrainas Denis Shmihal, i cili gjithashtu mori pjesë në forumin ekonomik, premtoi se do të krijojë shpejt kushte për investitorët e huaj- duke theksuar se Ukraina ka nevojë për ndihmë nga jashtë.
“Ukraina ka nevojë për ndihmën e kompanive evropianë për të realizuar këto projekte të guximshme”, shtoi Shmihal./Telegrafi