Serbia ngren aktakutë ndaj pilotëve kroatë, reagon ashpër Radman: “Nuk i lejojmë studentët e Millosheviç-it dhe Sheshel-it të vazhdojnë agresionin..”

“Do të ishte një paradoks ndërkombëtar juridiko-historik që shteti agresor, i cili është dënuar në disa raste nga instancat ndërkombëtare, të gjykojë pjesëtarët e ushtrisë fitimtare”.

Kështu e ka përshkruar Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliç-Radman, gjyqin ndaj katër pjesëtarëve të Forcave Ajrore Kroate të cilët akuzohen nga Prokuroria e Serbisë për krime lufte gjatë “Operacionit Stuhia” në vitin 1995.

Për diplomatin kroat, gjyqi nuk mund të jetë asgjë tjetër përveçse një “farsë poltike” sepse siç u shpreh ai, “do të ishte një paradoks edhe më i madh nëse studentët dhe ndjekësit e agresorëve të Slobodan Millosheviç-i dhe Vojislav Sheshel-it do të mendojnë se qeveria kroate do të lejojë vazhdimin e atij agresioni”, transmeton mediumi kroat “Jutarnji”.

Kujtojmë se seanca paraprake në procedurën kundër katër pilotëve kroatë filloi të premten në Beograd, por gjyqtari e shtyu atë në fillim për arsye formale dhe procedurale dhe e ricaktoi për 16 nëntor.

Pilotët akuzohen për sulmin me raketa në një kolonë refugjatësh, gjatë luftës serbo-kroate në gusht të vitit 1995.

“Së bashku me ftesën për 14 tetor, gjykata përmes organeve shtetërore i dërgoi Vladimir Mikaç, Zdenko Radulja, Zeljko Jeleniç dhe Danijelo Boroviç aktakuzën e ngritur nga Prokuroria serbe”.

Veprimet e tyre, siç thuhet në aktakuzë, “rezultuan në vdekjen dhe plagosjen e disa civilëve të përkatësisë serbe, ku në mesin e viktimave ishin edhe katër fëmijë”.

Në maj të këtij viti, Serbia kishte vendosur të ndjekë penalisht pilotët kroatë të forcave ajrore, duke shkaktuar reagime nga autoritetet e Zagrebit.

Vendimi ngriti gjithashtu pikëpyetje nëse krimi mund të hetohej dhe gjykohej siç duhet pa bashkëpunim midis institucioneve gjyqësore në të tre vendet e lidhura me rastin (Kroacia, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina).

Ndryshe, Kroacia nuk e njeh juridiksionin e gjyqësorit serb.

CATEGORIES
Share This