Vuçiç tregon se Scholz i tha në sy se Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në BE – çfarë përgjigje morri!

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë seancës së jashtëzakonshme që është duke u mbajtur për Kosovën në Kuvend, ka thënë se kancelari gjerman Olaf Scholz i ka thënë se kushti për anëtarësim në Bashkimin Evropian të Serbisë, është njohja e Kosovës, por ai thotë se kancelari “ka marrë përgjigje publike”.

“Kjo ishte detyra ime – të mbroja vendin tonë dhe integritetin e tij territorial”, tha Vuçiç.

Ai theksoi se ka 20 vjet që flitet për BE-në dhe pastaj vjen kancelari gjerman Olaf Scholz dhe thotë se “kushti i vetëm është që Serbia ta njohë Kosovën”.

Vuçiç shtoi se do t’i mbrojë serbët e Kosovës nga ata që i sulmojnë.

Po ashtu kreu i shtetit serb, theksoi se Serbia kurrë nuk do të pranojë që Kosova të jetë anëtare e OKB-së.

Vuçiç më tej gjatë fjalimit të tij është treguar skeptik për sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Bota perëndimore nuk i bënë presion Kosovës për t’i përmbushur të gjitha marrëveshjet e rëna dakord, mbi të gjitha për formimin e Asociacionit. Dyshojë shumë se kjo do të ndodhë, pavarësisht premtimeve, përveçse në nivel të ndonjë organizate joqeveritare”, ka thënë ai në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Serbisë, në të cilën po prezanton para deputeteve raportin e procesit të dialogut nga 15 qershori i vitit 2021 deri më 1 shtator të këtij viti.

Shteti i tetë, sipas pretendimeve të Vuçiç, gjatë javëve të ardhshme pritet ta çnjohë pavarësinë e Kosovës.
Megjithatë ai nuk ka dhënë detaje për shtetin i cili, sipas tij, pritet ta çnjohë shtetësinë e Kosovës.

“Për momentin kemi më shumë vende që nuk e njohin Kosovën sesa që e njohin. Ne po luftojmë për Kosovën në të gjitha frontet. Përgjigja jonë është vendimtare dhe efektive ndaj përpjekjeve të Kosovë për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Për Vuçiç në politikë një gjë është e rëndësishme – ofrimi i politikave të cilët janë realiste dhe mundësisht të implementueshme.

“Më e rëndësishme është mundësia sesa dëshira për t’i kënaqur njerëzit. Dhe mundësit për përparim janë shumë të pakta ndërsa mundësitë për të shkuar në humnerë janë mjaftë të mëdha”, ka shtuar ai.

Sipas Vuçiç gjithë në këtë mes primare është mbrojtja e Kosovës dhe serbëve që jetojnë atje.

CATEGORIES
Share This