Putin thotë se vendet islame i sheh si partner në përpjekjet për ndërtimin e një rendi botëror më të drejtë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se shtetet e botës islame janë partnerët tradicionalë në zgjidhjen e shumë problemeve aktuale në agjendën rajonale dhe globale, dhe në përpjekjet për të ndërtuar një rend botëror më të drejtë dhe më demokratik.
Në Kazan City Hall ka vazhduar Samiti Global Rinor Kazan, programi ndërkombëtar Kryeqyteti Rinor 2022 i Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) i cili mbahet në Kazan, kryeqytetin e Republikës së Tatarstanit të Federatës së Rusisë.
Në sesionin me temë “Rinia në agjendën globale” të moderuar nga Taha Ayhan, kreu i Forumit Rinor të Bashkëpunimit Islam (ICYF) mori pjesë edhe presidenti i Tatarstanit, Rustam Minnikhanov.
Minnikhanov në samit lexoi mesazhin e dërguar nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Në mesazhin e tij Putin është shprehur se “Shtetet e botës islame janë partnerët tanë tradicionalë në zgjidhjen e shumë çështjeve aktuale në agjendën globale dhe rajonale, dhe në përpjekje për të ndërtuar një rend botëror më të drejtë dhe më demokratik. Është e rëndësishme që të rinjtë të marrin pjesë gjithnjë e më shumë në mënyrë aktive në një ndërveprim të tillë konstruktiv dhe shumë dimensional”.
– “Përqafimi i Islamit nga paraardhësit tanë luajti rol në zhvillimin e shtetit”
Lideri i Tatarstanit, Rustam Minnikhanov, në një fjalim theksoi se përzgjedhja e Kazanit si kryeqytet rinor i Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) është provë e sukseseve dhe arritjeve të Rusisë dhe Tatarstanit në fushën e politikës rinore si dhe e lidhjeve të forta afatgjatë me OBI-n. “Është e rëndësishme të theksohet se një status i tillë i jepet për herë të parë një vendi vëzhgues të OBI-t”, shtoi Minnikhanov.
Ai tërhoqi vëmendjen se një ngjarje e tillë përkon me festimet e 1.100 vjetorit të pranimit të Islamit në Tatarstan. “Përqafimi i Islamit në vitin 922 nga paraardhësit tanë luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shtetit dhe që Islami të jetë një prej feve kryesore të vendit. I kushtojmë rëndësi të veçantë ndërveprimit mes botës islame dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islam”, tha Minnikhanov.
Ndërsa kreu i ICYF-së, Ayhan, bëri të ditur se punimi që kanë kryer do të hapë për diskutim pikëpamjet e 10 viteve të ardhshme. “Me të vërtetë ka pyetje kritike që të rinjtë në mbarë botën i kanë sjellë në rendin e ditës. Ashtu sikur e dini ka mungesë pjesëmarrjeje dhe mundësie jo vetëm në ekonomi, por edhe në fushat politike dhe sociale. Ky punim do të hedhë dritë mbi disa vështirësi dhe do të ofrojë ide rreth pjesëmarrjes dhe përfshirjen më të mirë të të rinjve në agjendën globale”, deklaroi Ayhan./AA